Nga Maksi Rama
Pavarësisht se 5 mësues dhe 3 punonjës janë konfirmuar pozitive me COVID-19, te shkolla “Emin Duraku” në kryeqytet procesi mësimor nuk është ndërprerë.
Ndërkohë pas 8 rasteve pozitive, janë karantinuar edhe 29 mësues të cilëve u është bërë tamponi, e menjëherë janë zëvendësuar të gjithë.
Pavarësisht kësaj situate, prindërit dhe gjyshërit shprehen se i sjellin fëmijët në shkollë edhe pse rreziku është i konsiderueshëm.
“Shumë frikë është, por presim rezultatin e mësuesve që janë karantinuar”, u shpreh një prind.
Ndërsa ka edhe nga ata prindër që nuk shprehen të frikësuar: “Nuk kemi aspak frikë”, u shpreh një tjetër prind.
“Frika ekziston më thënë të drejtën, janë masat ato që ndoshta na shpëtojnë”, u shpreh ajo.
“Kujdes jo frikë, edhe frika është disi. Në shkollë do i sjellim se pa shkollë nuk i lëmë dot”, u shpreh një tjetër qytetare.
Burime pranë shkollës bëjnë të ditur se menjëherë pas shfaqjes së rasteve pozitive me COVID-19, janë marrë masa shtesë për dezinfektimin e ambienteve të shkollës.
Ndërkohë brenda 24 orëve pritet të dalin përgjigjet e tamponit të 29 mësuesve të cilët janë të karantinuar.
/abcnews.al/