Mësimet nga Ukraina: Shpresa, jo urrejtja, do të mbajë gjallë rezistencën

schedule10:10 - 26 Mars, 2022

schedule 10:10 - 26 Mars, 2022

Nga Harald Schenker, BalkanInsight

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Të gjesh fjalët e duhura për të folur rreth të vërtetave të luftës dhe paqes është një sfdë. Akti gjithëpërfshirës i luftës që Rusia e Vladimir Putin po kryen kundër Ukrainës ka tronditur botën.

Por, lufta ka frymëzuar gjithashtu një numër të madh njerëzish për të nxjerrë në pah urrejtjen e tyre ndaj demokracisë dhe të mbështesin agresionin e Rusisë si një akt heroizmi antiperëndimor.

Çfarë do të thotë e gjithë kjo?

Kjo tregon se vetëkënaqësia e shoqërive demokratike ndaj të gjitha regjimeve autoritare dhe diktatoriale në emër të ideologjisë ka tejkaluar kufijtë. Populli i Ukrainës tani po  paguan çmimin, dhe tani ka ardhur  koha për të rikthyer demokracinë.

Por për ta bërë këtë, duhet të kemi parasysh disa gjëra.

Europa është e varur nga gazi rus dhe kjo për shkak të neglizhencës nga brezat e politikëbërësve. Ndër shumë faktorë të tjerë, politikëbërja ka nevojë për njohuri që burojnë nga përvoja historike.

Kur kam qenë student kam jetuar në një apartament në Berlin që kishte ngrohje me qymyr, si shumica e apartamenteve në Berlin në atë kohë. Kur e pyeta pronaren time pse nuk përdor gaz, ajo u përgjigj me një ton të ashpër “Pse duhet të përdor gazin rus?

Njohja e historisë dhe zotërimi i saj në të gjitha aspektet e saj, të mira dhe të këqija, duke ditur se ajo kurrë nuk i përket vetëm një populli, është themeli i politikëbërjes. Ne duhet të shkëputim simbiozën mashtruese dhe vdekjeprurëse të demokracisë dhe turbo-kapitalizmit neo-liberal. Kjo e fundit ka sjellë vendet  në prag të krizës dhe duhet të marrë fundi para se dëmi të jetë i pariparueshëm, raporton abcnews.al

Por arsyet e krizës së saj janë të ndryshme nga ato të demokracisë. Ato kanë të bëjnë me lakminë personale dhe korrupsionin e një sistemi. Njerëzit duhet të bëhen qendra e politikëbërjes. Krijimi i politikave deri më tani ka mbetur  vetëm në teori, sipas dokumenteve të OKB-së.

Ne kemi nevojë që politikanët të rifitojnë aftësinë për të dëgjuar njerëzit, ankesat dhe dëshirat e tyre dhe për të vepruar sipas tyre, ose në të kundërt ata duhet të mbajnë përgjegjsi.

Partitë politike si instrumente për përjetësimin e sistemeve nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit. Ata janë kthyer në makineri të represionit të popullit.

“Nëse nuk jeni me ne, atëherë jeni kundër nesh.” Kjo nuk ka lidhje me demokracinë, ky është thelbi i diktaturës.

Kjo mund të tingëllojë si një ëndërr në shumë vende të Ballkanit. Por nuk është e pamundur, edhe nëse duket e largët.  Nuk mund t’i lejojmë kleptokratët të vazhdojnë të vulosin atë pak mirësjellje që na ka mbetur. Nëse e bëjmë këtë, ne do të shndërrohemi në një strehë për  Putinët e vegjël.

Me çdo minutë të kësaj gjakderdhjeje që vazhdon, ne duhet të pyesim veten pse e kemi lënë situatën të arrijë deri këtu.

Ne kemi nevojë për solidaritet. Për muajt e ardhshëm, kjo do të thotë solidaritet me popullin e Ukrainës, me qindra mijëra refugjatë që vijnë nga Ukraina dhe njerëz të gatshëm për t’i ndihmuar ata.

Por, strehimi i refugjatëve ukrainas, duke lënë qëllimisht të tjerët të mbyten në Mesdhe nuk është solidaritet.

Ne duhet të detyrojmë përfaqësuesit tanë të kuptojnë dhe të ushtrojnë solidaritet me të gjithë anëtarët e shoqërive tona, pavarësisht se sa ditë, javë apo shekuj kanë qenë pjesë e këtyre shoqërive.

Kjo nuk është një sfidë më e vogël. Duhet ta bëjmë të qartë se tregu i lirë nuk është ilaç për sëmundjet sociale; shumë shpesh, është shkaku i tyre. Bota rreth nesh ka ndryshuar brenda natës. Ne kemi luksin që u mungon popullit të Ukrainës –kemi kohën  nevojshme për të menduar.

Ne duhet të mësojmë nga lufta në Ukrainë: ne duhet t’i bëjmë shoqëritë, demokracitë tona, më elastike.

Lufta në Ukrainë ka përmbysur ëndrrën europiane për paqen në këtë kontinent. Disa kanë filluar të kuptojnë sfidën e kohës. Ne duhet të jemi në gjendje të mbrohemi kundër atyre që synojnë të shkatërrojnë demokracinë.

Yuval Noah Harari kishte shumë të drejtë në artikullin e tij të fundit në The Guardian, duke thënë se Putini tashmë e ka humbur luftën. Por Harari gabon kur shton se: “Për kombet e shtypura, urrejtja është një thesar i fshehur”.

Unë kam lindur dhe jam rritur në Rumani, ku inati ndaj Rusisë është ngulitur thellë në kujtesën e të gjithëve. Gjyshi im, i cili ishte i moshuar për të luftuar në Luftën e Dytë Botërore dhe nuk kishte asnjë lidhje me nazistët, kaloi disa vjet në një gulag, në një minierë qymyrguri në Donbass, sepse ishte gjerman etnik.

Ai nuk e mori kurrë veten fizikisht. Historia e tij dhe trashëgimia ime rumune mund të ishin të mjaftueshme për të justifikuar një shkallë të caktuar rusofobie. Në vend të kësaj, i kushtova vite të jetës sime studimit të gjuhës dhe historisë ruse, por edhe letërsisë, artit dhe kulturës.

Sindroma e Stokholmit? Jo, ishte dëshira e thjeshtë për t’u rritur përtej bagazhit tim të trashëguar psikologjik dhe kulturor. Por unë arrita në përfundimin se roli i Rusisë në Europë është të paktën ambivalent dhe se ne duhet të përballemi me të, raporton abcnews.al

Urrejtja nuk është një thesar, por një mallkim. Ballkani mund të na japë argumente të shumta për këtë tezë. Ukrainasit janë një komb dhe askush përfshirë Putinin, nuk ka të drejtë ta vërë në dyshim këtë.

Forca e Europës është forca për të kapërcyer, për t’u bashkuar me të tjerët dhe për të zhvilluar ëndrra të përbashkëta bazuar në përvojat e përbashkëta. Putini mund t’i ketë bërë një nder Europës, pasi lufta në Ukrainë ka shërbyer si një thirrje zgjimi për vendet europiane.

Ka shumë arsye bindëse pse një demokraci, sado me të meta të jetë është gjithmonë më e preferueshme se autokracia apo diktatura.

Madje shumica në Rusi duan që lufta të marrë fund.

Pyesni popullin e Ukrainës nëse ata preferojnë demokracinë e tyre, të papërsosur, të skandalizuar dhe të korruptuar ndaj regjimit të Putinit. Ne duhet ta ndërtojmë narrativën mbi sakrificën e njerëzve në Ukrainë. Të paktën këtë ua kemi borxh. Nuk është urrejtja ajo që mban rezistencën, por shpresa.

Europa duhet të rivendosë vlefshmërinë e parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Erozioni i tyre ka nisur shumë kohë më parë dhe është pjesë e strukturës së OKB-së.

Rusia duhet të përjashtohet nga Këshilli i Sigurimit; OKB-ja duhet të reformojë në dimensionin e saj politik. Dhe vetëm atëherë ligji ndërkombëtar ka një shans. Dhe, sipas këtyre parimeve, bota do të jetë një vend më i mirë vetëm kur Putini të gjykohet për krimet kundër njerëzimit.

/abcnews.al