Në këto kohë që virusi vazhdon përhapjen dhe pritet nisja e vitit shkollor, në Kukës furnizimi me ujë nëpër shkolla është problem.
Drejtori i zyrës arsimore vendore në këtë qytet, Skënder Ahmeti thotë se për të siguruar higjenën në shkolla i ka kërkuar bashkisë që të garantojë furnizim me ujë.
“Shpresojmë që të kemi një zgjidhje me ujë të pishëm, pasi duhet të pranojmë realitetin për furnizimin me ujë, ndërsa për shkollat e tjera po shikojmë mundësinë për të furnizuar shkollat nëpër fshatra”, është shprehur Ahmeti.
Për këtë probematikë është përgjigjur dhe kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici.
“Në shkollat që s’ka rrjet në zonat rurale kemi folur me ujësjellësin tju ofrohet ujë me bote. I kërkojmë qeverisë të na mbështesë me fonde se kemi dhe shumë shkolla të dëmtuara”, ka thënë Gjici.
Zyra e Arsimit në Kukës ka nisur konsultimet me arsimtarët dhe drejtoret e shkollave për përcaktimin e numrit te nxënësve dhe klasat.
“Mësimi në shkollat e fshatrave mund të zhvillohet me një turn ndërsa ato të qytetit me dy turne”, është shprehur ndër të tjera Ahmeti.
Bashkia e Kukësit ka rreth 78 objekte të arsimit parauniversitar dhe një pjesë e madhe e tyre janë të amortizuara./abcnews.al