Mes plazhit, Romës së Tottit dhe “çudisë” në Durrës: Dejvi Bregu “Në kohën e ABC-së”

schedule20:00 - 1 Qershor, 2021

schedule 20:00 - 1 Qershor, 2021

Nga Vladimir Prenga

Pse Dejvi Bregu vallëzon në fushë mund ta ketë një përgjigje. “E kam nisur futbollin që 5 vjeç, me tim atë, kur shkonim në plazh dhe luanim të dy bashkë fillimisht”, tregon vlonjati, i shpallur kampion me Teutën disa ditë më parë, ndërkohë që tani shijon pushimet dhe fitimin e trofeut të “Këpucës së Artë” me 16 gola të shënuar në Superiore.

Me numrin 10 në shpinë, duke e nisur nga plazhi si brazilianët, Bregut i pëlqen e bukura. Jo më kot është bërë tifoz me një ekip italian që në Shqipëri nuk është se ka mbështetje të madhe. Edhe numrin 10 te Teuta me shumë mundësi e mban për shkak të një legjende të atij klubi.

“Fanella ime e parë ka qenë e Romës, ajo Francesco Tottit, pasi edhe e simpatizoj shumë si ekip për vetë faktin që bën futboll të bukur”, rrëfen sulmuesi vlonjat, në rubrikën e përjavshme “Në kohën e ABC-së”. Me topin u dashurua shpejt, që kur ia dhuruan familjarët.

 

“Mesa mbaj mend, topin e parë duhet ta kem dhuratë nga familjarët. Kam një fotografi që tregon buzëqeshjen e madhe që kam afër topit”, tregon vlonjati, i cili normalisht ndihej mirë i vogël kur shikonte skuadrën e zemrës teksa luante.

“Normalisht, si çdo fëmijë në Vlore që kishte qejf futbollin, ishte një ndjesi shumë e bukur në stadium kur ndiqje Flamurtarin”, shton Bregu, i cili nga futbolli i plazhit dhe i lagjeve duhet të niste të mendonte për ta kthyer pasionin e tij në profesion. Ia ka dalë, por le të mbetemi me kokën pas.

“Ditën e parë që kam nisur stërvitjen, mbaj mend që isha i ndrojtur. Në fakt kemi qenë të gjithë shumë të ndrojtur, pasi trajneri kishte tjetër prezence. Ishim mësuar të luanim futboll për argëtim”, shprehet sulmuesi anësor, i cili luante që atëherë në të gjitha pozicionet e sulmit.

 

Bregu mbetet pas në kohë, teksa shton: “Trajneri im parë ka qenë Astrit Kamberi, të cilin e përshëndes dhe kam shumë respekt. Me moshat te Flamurtari, me paratërinjtë dhe të rinjtë, ka qenë më pas Adrian Nini.

Mbaj mend që fillimisht jemi stërvitur në kalçeto të vogla, sipas moshave, por më vonë u ndërtuan fusha moderne dhe sot e kësaj dite janë akoma në gjendje të mirë”, vijon rrëfimin e tij Dejvi, i cili nuk veçon ndonjë shprehje pikante nga trajnerët me të cilët ka punuar në moshë të vogël.

“Vështirë të mbaj mend shprehje që më kanë mbetur në mendje që atëherë, por mund të them një që ishte ‘punoni sa më fort se do i shikoni frytet e punës tuaj’. Të gjithë trajnerët, pa përjashtim, nga fillimi e deri më sot, kanë pasur ndikim te mua kështu. Ata duhen falënderuar të gjithë për kontributin e tyre”, deklaron sulmuesi.

 

Nostalgji e madhe për udhëtimet që bënin me moshat. “Kur përmenden transfertat dhe udhëtimet me autobus, direkt më shkon mendja tek ato ngacmimet dhe të qeshurat mes çunave rrugës. Atëherë nuk e shikonim me ndonjë seriozitet të madh rëndësinë e ndeshjeve te moshat”, tregon lojtari i Teutës.

Duke mbetur me kokën pas, nga brezi i tij në futbollin profesionist po çan Bregu dhe Ardit Hoxhaj, i cili një ditë më parë fitoi Kupën e Shqipërisë me Vllazninë. “Unë jam brezi ’95 dhe sot nuk mbaj mend të luajë ndonjë shok që kemi luajtur te moshat, përveç Ardit Hoxhaj. Ai është 1 vit më i madh se unë dhe luan në Superiore, siç e dini. I uroj shumë suksese në karrierë, pasi jemi edhe shumë shokë bashkë”.

A ka pasur ndonjë që i hapte punë Bregut? Po ndonjë fushë ku nuk ishte e lehtë? Vlonjati mundohet të kujtojë gjithçka: “Është koha e gjatë që të mbaj mend mbrojtës që më kanë hapur probleme te moshat. Di të them që Vllaznia te moshat ka patur ekip shumë të mirë. Me ta kemi pasur goxha rivalitet. Mbaj mend që fusha me e vështirë ka qenë në Laç. Ishte terren shumë i keq edhe normal ambienti nuk ishte miqësor”.

Sigurisht Bregu nuk e harron edhe golin më të bukur që ka shënuar me moshat: “Besoj se më i bukuri ka qenë një që kam shënuar kur isha me të rinjtë e Flamurtarit, kundër Tiranës U19. Një gol i stilit tim, duke dribluar disa kundërshtarë dhe portierin. Më pas e kam çuar topin në rrjetë”.

 

Një të tillë, pak a shumë, Bregu ia shënoi edhe Laçit sezonin e fundit në Superiore. Ata që e njohin Dejvin, e dinë se është nga ata djemtë me sedër, që preket shpesh. Ndaj edhe kur pyetet për ndonjë rreng, shton: “Të them të drejtën nuk para bija pre e rrengjeve nga shokët, apo të bëja edhe vetë”.

Gjithsesi një ngjarje të çuditshme nuk e harron dhe i ka ndodhur në Durrës, ku sivjet ua ktheu borxhin duke ndihmuar në fitimin e titullit kampion pas 27 vitesh. “Një nga gjërat me të çuditshme kur luanim me moshat ka ndodhur në Durrës, kur luanim kundër Teutës U17. Pasi kisha shënuar 5 gola, sa herë prekja topin tifozët kundërshtarë duartrokisnin. M’u duk shumë e çuditshme”, shprehet Bregu.

Shumë kanë lojtarë që i shikojnë si idhuj, ose si shembuj për të mos e hiperbolizuar shumë. Bregu thotë se gjithmonë ka dashur të jetë vetvetja dhe nuk kishte ndonjë futbollist, hapat e të cilit donte të ndiqte. Sigurisht për të ecur përpara duhet edhe përkrahje dhe Dejvit nuk i ka munguar.

 

“E gjithë familja më ka mbështetur, por normalisht im atë ka qenë ai që ka qenë në çdo hap të karrierës time me mua. Pa mbështetjen e tij, unë nuk do isha ky që jam sot”, shton Bregu, i cili fëmijë e kishte një ëndërr dhe e realizoi.

“Si fëmijë fillimisht ëndrra ka qenë të luaja me Flamurtarin, por me kalimin e moshës edhe dëshirat ndryshojnë normalisht”, deklaron Bregu, i cili në Superiore ka luajtur edhe me Luftëtarin e Skënderbeun, ndërsa tani pret që të provojë edhe një eksperiencë jashtë vendit, në një sport që ai e ka dashur nga fillimi.

“Sa fillon dhe rritesh, aty kupton sa do t’i arrish qëllimet e tua. Realisht e kam dashur dhe e dua me gjithë zemër këtë profesion, që është një nga më të bukurit në botë”, përfundon Brehu, i cili në tetor mbush 26 vjeç dhe përpara ka një karrierë të gjatë dhe objektiva të rëndësishme për të arritur. I pari të kalojë në një klub jashtë vendit dhe me gjasa do të ndodhë brenda kësaj vere. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!