Kontrolli policor në banesën e gjyqtarit Skënder Damini zbuloi 8 fishekë armë “Makarov”, si edhe një shumë prej 17 mijë euro. Gjyqtari që vendosi pro zbutjes së dënimit të Dajtit u shoqërua në polici, por u la i lirë tre orë më vonë. “ABCnews” zbardh dëshminë e dhënë prej tij para Oficerëvë të Policisë Gjyqsore.
Mëngjesin e së premtës, efektivë të forcave të policisë së shtetit mësynë njëkohësisht për kontroll në banesat e tre gjyqtarëve të Apelit që zbutën dënimin për Dritan Dajtin.
Ky është momenti kur policia gjeti një shumë prej 17 mijë euro, si edhe një krëhër me fishekë “Makarov” në banësen e gjyqtarit Skënder Damini, në apartamentin e tij pranë Liqenit të Thatë në kryeqytet.
Për këtë fakt gjyqtari u shoqërua për në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Për gati tre orë me radhë, në praninë e avokatit Ferdinand Ndoja, gjyqtari Damini dha shpjegime para Oficerëe të Policisë Gjyqësore. Sipas burimeve ai ka ka sqaruar se 8 fishekët e gjetur në banesë i përkisnin një arme që ai e kishte pasur me leje për shkak të detyrës. Kjo armë ishte dorëzuar disa vite më parë, sipas një ligji të kohës, por municioni ishte harruar në shtëpi. Për shumën e të hollave gjyqtari Damini ka pretenduar se i përkisni djalit të tij që merret me biznes.
“As nuk e dija që ishin aty, por mund ta provoj me dokumente, që janë të djalit”, ka thënë ai. Ndërsa për vendimin ndaj Dajtit, gjyqtari ka thënë se ka dhënë një vendim të bazuar në ligj dhe në bindjen e tij të brendshme. “Vendimi i dhënë nga unë është i kundërshtueshëm. Mund t’i bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë”, ka pohuar ai. Njëkohësisht gjyqtari ka shprehur gatishmëri të lërë telefonin e tij në duart e oficerëve, duke i thënë se mund ta kontrollonin për gjithcka.
Pas këtij momenti Damini është lejuar të largohet nga ambientet e policisë. Ai shfrytëzoi një dalje të pasme të godinës, për t’iu shmangur objektiëve të kamerave. Skëndër Damini dhe dy kolegët e tij që pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin, c’ka uli dënimin me burg përjetë ndaj tij në 25 vite po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për “korrupsion të gjyqtarëve” dhe për “shpërdorim të detyrës”./abcnews.al