Merren në pyetje anëtarët e komisionit të gradave në Policinë e Shtetit

schedule15:40 - 14 Mars, 2019

schedule 15:40 - 14 Mars, 2019

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka marrë në pyetje 10 anëtarët e komisionit të gradave në Policinë e Shtetit të zhvilluar në Nëntor të 2018. Prokuroria ka regjistruar kallëzimin për shpërdorim detyre për anëtarët e dy komisioneve, pas disa denoncimeve të oficerëve të policisë për shitje të tezës.

Pas skandalit të anulimit të konkursit të gradave, në Nëntor të 2018 për “Kryekomisar” dhe “Komisar” në Policinë e Shtetit, anëtarët e komisionit janë marrë në pyetje. Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pyeti 10 anëtarët e komisionit të gradave që kishin për detyrë të mbikëqyrnin testimin.

Pas anulimit të testit të parë me urdhër të kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, të mbajtur më 7 Nëntor për gradën “Komisar”, shumë nga pjesëmarrësit bënë kallëzimin në Prokurorinë e Tiranës.

Disa oficerë policie ankimuan rezultatet e testimit për mënyrën e organizimin dhe favorizimin e individëve të caktuar përmes publikimit të tezës më herët para se të zhvillohej konkursi. Organi i akuzës ka regjistruar kallëzimin penal pas referimit të bërë nga SHÇBA për “Shpërdorim detyre”, anëtarët e dy komisioneve të gradave.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Dhjetor shpalli moskompetencë, duke e dërguar dosjen gjyqësore në Apel, pas kërkesë-padisë të bëra nga sindikata e Policisë së Shtetit që kërkonte të njihej e drejta e fituesve të garës për gradën, “Komisar”. Në të dy konkurset merrnin pjesë rreth 1000 efektiv të policisë, ku vende vakante për t’u plotësuar nga fituesit e gradave në Policinë e Shtetit ishin afërisht 200./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!