Kancelarja gjermane Angela Merkel ka shuar dyshimet mbi gjendjen e saj shëndetësore. Duke iu përgjigjur interesit të mediave nga samiti i G20-s në Osaka, Merkel tha se ndihet mirë dhe se nuk ka asgjë të veçantë për të komunikuar.
Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka shuar vetë dyshimet mbi gjendjen shëndetësore të saj, pas dy rasteve kur u pa të dridhej në publik. Duke folur nga Osaka, në kuadër të samitit të G20-s, Merkel tha se është e bindur se reaksioni që pësoi do të zhduket njësoj sikurse është shfaqur.
E pyetur se çfarë e shkaktoi reaksionin dhe nëse është vizituar tek mjeku, kancelarja tha se nuk ka asgjë të veçantë për të thënë. Të enjten, ajo u pa teksa dridhej gjatë pjesëmarrjes në një ceremoni në Berlin. Merkel, që muajin e ardhshëm mbush 65 vjeç, shtrëngoi fort krahët derisa situata u qetësua.
Asaj iu dha një gotë me ujë për të marrë veten, por nuk e piu atë. Incidenti i mëparshëm, të cilin ajo ia atribuoi dehidratimit, ndodhi kur ajo priti në një takim presidentin e ri ukrainas, Volodimir Zelenski. Një gjë e tillë kancelares i ndodhi edhe në 2017-n, teksa ishte në Meksikë duke ndjekur një ceremoni ushtarake në nder të saj. Asokohe u tha se kontrollet mjekësore nuk kishin konstatuar asnjë problem në shëndetin e saj.
Në Osaka, zonja Merkel zhvilloi takime dypalëshe me shumë liderë, mes të cilëve presidentin amerikan Donald Trump, atë rus Vladimir Putin dhe atë turk Recep Taip Erdoan. Zëdhënësi i qeverisë gjermane postoi një video ku ajo shfaqej duke diskutuar në mënyrë të relaksuar./ABC News Albania 24/7