Merkatoja pa para e “Katalanasve”/ Dani Olmo ende i pafederuar, klubi kërkon edhe Rafael Leao

schedule17:56 - 22 Gusht, 2024

schedule 17:56 - 22 Gusht, 2024

Dani Olmo ishte goditja e madhe e “Katalanasve” të Barcelona, por edhe një nga lëvizjet më të rëndësishme të verës në merkaton e futbollit botëror, teksa për sulmuesin që shkëlqeu me Spanjën në finalet e “Euro 2024”, “Blaugrana”-t shpenzuan plot 60 milion euro.

Megjithatë, tekniku Hansi Flick dhe tifozët “katalanas” duhet të presin ende për ta parë në aksion “yllin” spanjoll, i cili nuk është federuar ende, si pasojë e rregullave të “Fair Play Financiar”.

Borxhi i madh i akumuluar prej vitesh pengon regjistrimin e mesfushorit për sezonin e ri dhe klubi nga Katalonja më parë duhet të shesë.

Shpresat për zgjidhjen e kësaj situate janë te Ilkay Gyndogan, që do të kthehet te Manchester City, por në këtë atmosferë surreale për një emër të madh të futbollit, Barcelona vazhdon të jetë aktive në merkato.

Madje pretendimet e saj nuk janë aspak në sinkron me situatën financiare.

Kjo konfirmohet nga oferta në drejtim të “yllit” portugez, Rafael Leao, i cili shihet si përgjigjja ndaj rivalëve të përjetshëm të Real Madrid, që në fillim të verës transferuan “gjelin”, Kylian Mbappe.

Megjithatë ky mision ka rezultuar menjëherë i pamundur, pasi Barcelona ofroi 60 milion euro për Leao, shifër kjo as i afrohet vlerësimit të Milan, që kërkon 175 milion euro, aq sa parashikohet në klauzolën e lirimit në kontratën e sulmuesit.

Pavarësisht këtij refuzimi të shpejtë, klubi nga Katalonja nuk dorëzohet dhe hedh sytë nga një tjetër yll i Serie A.

Bëhet fjalë për italianin, Federiko Chiesa, që është lënë jashtë projektit nga Juventus dhe me “Zonjën e Vjetër” që është e gatshme të lirohet sa më shpejt nga futbollisti, ky operacion në merkato është mëse i realizueshëm, duke llogaritur edhe formulën e huazimit me detyrim blerjen e kartonit në fund të sezonit.

Duke parë situatën e vështirë financiare të Barcelonës, kjo do të ishte edhe zgjidhja më e mirë për të gjitha palët. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!