Si rrallëherë më parë, stafetën në këtë merkato verore do ta marrin trajnerët. Drejtuesit e klubeve kryesore në Europë kanë nisur planet për sezonin e ardhshëm dhe revolucioni nis që nga trajnerët. Serie A italiane është kampionati ku pritet të ketë më shumë ndryshime teknikësh.
Napoli ishte klubi i parë që shkarkoi trajnerin, me Gennaro Gattuso, që iku menjëherë pasi u mbyll kampionati. Dështimi për t’u kualifikuar në Champions League ishte fatale për ish-futbollistin e Milanit. Emri më i përfolur për të marrë drejtimin e napolitanëve është ish-romanisti Luciano Spaletti.
Edhe pse fitoi titullin kampion, Antonio Conte zgjidhi kontratën me Interin. Mosmarrëveshjet me drejtuesit e klubit sollën edhe largimin e teknikut italian nga stoli zikaltër. Një nga opsionet më të mundshme për të drejtuar ekipin kampion të Serie A është Simone Inzaghi, i cili pritet të largohet nga drejtimi i Lazios.
Ndryshime në stol pritet të ketë edhe tek Juventusi. Bardhezinjtë nuk kaluan sezon të mirë dhe shkarkimi i Andrea Pirlos është vetëm çështje kohe. Në bankinën e zonjës së vjetër pritet të rikthehet Max Allegri, pese herë fitues i Serie A dhe humbës i dy finaleve të Champions me bardhezinjtë.
Në Spanjë, Real Madrid konfirmoi dorëheqjen e Zinedine Zidane. Franca mbetet një opsion pas përfundimit të “Euro 2020”, por në skenë ka dalë edhe PSG, që mund të ndahet gjatë këtyre ditëve me Mauricio Pochettino.Trajneri thuhet se ka kërkuar largimin nga klubi. Në dyshim është edhe e ardhmja e Ronald Koeman te Barcelona.
Drejtuesit e klubit nuk janë të kënaqur me performancën e ekipit këtë sezon dhe kontrata me teknikun holandez mund të ndërpritet në këtë merkato verore. Vendin e tij mund ta marrë ish-mesfushori i katalansve, Xavi Hernandez, që aktualisht drejton ekipin e Al Sadd në Katar.
Ish-mesfushori ka kontratë deri në verën e vitit 2023 me arabët, por ekziston një klauzolë lirimi direkte në rast të kalimit te Barcelona. Ndërkohë, dëshira e madhe e Laportas është Guardiola, por flitet është për rikthimin e mundshëm të Frank Rijkaard.
Tottenham shkarkoi Jose Mourinho në mes të sezonit dhe në vend të tij caktoi ndihmësin e portugezit, Ryan Mason. Spurs zhvilluan një sezon të dobët dhe drejtuesit kërkojnë që në krye të klubit të vendosin një emër të madh për të thyer më në fund tabunë e titullit. /abcnews.al