Mercedesi vazhdon dominimin në Formula 1

schedule23:05 - 28 Prill, 2019

schedule 23:05 - 28 Prill, 2019

Mercedesi vazhdoi dominimin në Formula 1, me një fitore të dyfishtë në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit. Finlandezi Botas la pas kampionin e botës, Ljuis Hamilton.

Në krye doli skuadra që pritej, por piloti që mendohej më pak.

Valteri Botas nuk jepej favorit për të triumfuar në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit në Formula 1, veçse finlandezi mbajti më së miri presionin, duke lënë sërish prapa shokun e tij të skuadrës, kampionin e botës në fuqi, Ljuis Hamilton.

Pavarësisht nga shpresat e Ferrarit dhe përpjekjet e skuadrës italiane, Mercedesi sërish dominoi duke arritur fitoren e dyfishtë të radhës, këtë herë në pistën e improvizuar në rrugët e kryeqytetit Baku.

Në të katër garat e deritanishme, skuadra gjermane ka dalë në dy vendet e para me pilotët e saj, dhe Botas e Hamilton kanë nga dy fitore secili.

Padyshim, një rol e luajti edhe fati, por më shumë ishte epërsia reale e Mercedesit që vendosi fatin e garës.

Pilotët e Ferrarit, Sebastian Fetel dhe Sharl Leklerk, patën momentet e tyre të mira, madje francezi nga Montekarlo edhe kryesoi për shumë xhiro, përpara sesa të parakalohej për shkak të gomave të konsumuara.

Njëzetenjëvjeçari natyrshëm po vuan edhe mungesën e përvojës.

Ai madje, dha edhe xhiron më të shpejtë të Çmimit të Madh, duke marrë në fund edhe pikën shtesë që jepet për këtë arritje.

Fetel u ngjit në podium, por gati 12 sekonda diferencë nga vendi i parë janë shumë për një pilot 4 herë kampion të botës dhe një makinë me pretendime si Ferrari.

Gjithsesi, Botërori i Formula 1 mbetet i hapur, pasi duhen edhe 17 gara dhe diferencat nuk janë shumë të mëdha.

Botas kryeson me 87 pikë, një më shumë sesa Hamilton, ndërsa Fetel është ndjekësi më i afërt me 52 pikë.

Për skuadra, në vend të parë me distancë është Mercedesi që ka 173 pikë ndaj 99 të Ferrarit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!