Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në fund të konferencës së përbashkët me homologun e tij shqiptar Edi Rama ka shpjeguar detaje nga takimi mes tij dhe kabineteve qeveritare mes dy vendeve.
Kurti ka sqaruar se në këtë takim nuk është diskutuar asgjë më shumë se çështjet që i përkasin dy vendeve shqiptare.
Ndër të tjera Kurti ka theksuar se në këtë takim s’është diskutuar për politikë ndërkombëtare, dhe nuk është përmendur as fjala Ballkan dhe as Serbi.
“Më lejoni që të ndaj një njoftim të rëndësishëm se gjatë takimit tonë gjatë një ore e gjysmë, ku kryeministri Rama ma ardhur me gjysmën e kabinetit dhe unë po ashtu dhe unë, më shumë kanë diskutuar ministrat sesa ne të dy. Në këtë takim nuk është përmendur as fjala Ballkan dhe as Serbi, dhe mos të krijohet përshtypja se ne flasim për politikë ndërkombëtare pasi kemi shumë për të diskutuar në aspektin, ekonomik, financiar dhe marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë reagimi i Ramës ishte përmes një batute ku theksoi se tashmë do të thonë se ai e Kurti nuk kanë folur me njëri tjetrin.
“Këtu nga një ngatërresë, këto do të thonë se ne nuk kemi fol me njëri tjetrin, kanë fol ministrat, se ne nuk flasim, por është gabim pasi ne kemi shumë më shumë për të folur”, ka thënë Rama./abcnews.al