Nga Linda Karadaku
Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për targat, e cila i dha fund krizës në veri të fundit, të paktën tani për tani. Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thekson se marrëveshja e arritur midis Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje, është e përkohshme.
“Marrëveshja është e përkohshme, do të duhet kohë që të vlerësohen rezultatet e saj, nëse marrëveshja ka dhënë një rezultat pozitiv apo jo. Megjithatë nëse e shikojmë në substancë këtë marrëveshje, krijon një farë baraspeshe mes palëve”. Vrajolli nënvizon përfitimet e Kosovës nga kjo marrëveshje.
“Mund të thuhet se është një nga marrëveshjet e para ku pala serbe pranon që të jetë në një nivel të barabartë, pa marrë parasysh pse nuk është marrëveshje finale dhe mbetet të shihet epilogu drejt marrëveshjes finale, nëse do të ketë ndonjë marrëveshje finale,” tha ai për emisionin “Ballkan”./ Abcnews.al