I ngarkuari special për Ballkanin Perendimor në Departamentin Amerikan të Shtetit, Mathew Palmer kërkoi bashkëpunim dhe partneritet në funksion të objektivit të Shqipërisë për tu integruar në Bashkimin Europian. Në një takim të zhvilluar pas mëngjesit të Lutjeve të organizuar nga kreu i Republikanëve, Fatmir Mediu dhe Kongresmeni Robert Aderholt, Palmer theksoi se vendimi për të mos çelur negociatat e Shqipërisë me BE-në nuk ishte një vendim i mirë.
“Është një kënaqësi e vërtetë të jesh në të njëjtën dhomë me disa prej miqve të vjetër. Dhe kjo është një nga arsyet se pse u mërzitëm më shumë kur Këshilli Europian vendosi të mos e hapë ende derën për Shqipërinë. Por në të njëjtën kohë është dhe një arsye e fortë se pse ne duhet të punojmë së bashku dhe të këmbëngulim për anëtarësimin e vendit në Bashkimit Europian. Duke shpresuar që shumë shpejt të hapen negociatat me Tiranën dhe Shkupin. Kemi të njëjtin vizion me ju për sa i përket Ballkanit Perendimor: Duam bashkëpunim dhe partneritet. E nëse më pyesni se kush drejton në këtë dhomë, më lejoni të them që jeni ju!”, u shpreh Palmer.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu gjatë fjalës tha se përplasjet e forta politike të zgjidhen përmes marrëveshjeve mes palëve.
“Fillimisht do të doja t’ju falenderoja për mbështetjen. Për faktin që na bëni të ndjehemi të shoqëruar dhe që i kemi dyert e hapura, dhe për bashkëpunimin e ngushtë. Dhe kjo është një vlerë e shtuar për faktin se të gjithë ne duhet të punojmë së bashku, në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe kudo. Sepse Zoti është për të gjithë dhe ne duhet të punojmë të gjithë së bashku. Nëse do i rikthehemi politikës mund të ketë situata ku gjërat dalin jashtë kontrollit, por ne kemi miqtë e duhur që na ndihmojnë dhe këshillojnë për gjetjen e një marrëveshjeje mes palëve”, u shpreh Mediu.
Në takim merrte pjesë edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, Ministri i Diasporës Pandeli Majko, ish-ministri Damian Gjiknuri dhe ish deputeti Halim Kosova. Për kreun e shtetit në politikë ka vetëm një armik mes palëve.
“Është mirë kur jemi të gjithë së bashku, dhe armiku të shohë që ne nuk jemi vetëm. Për sa i përket armiqve politikë, do të doja të ishte një armik i vetëm dhe ai është përjashtimi”, tha Meta. /abcnews.al