Skulptori i njohur Arben Bajo nuk e ka fituar betejën me COVID-19. Lajmi është konfirmuar nga miqtë e tij në rrjetin social “Facebook”.
“Mëngjes i trishtë! Duararti Arben Bajo nuk i’a doli dot, fitoi Covid-19! Paqe e përjetshme për ty mjeshtër!”, shkruan Arbër Kadia.
Bajo prej ditësh është ishte duke “luftuar” me COVID-19, por ditët e fundit gjendja e tij u bë më kritike.
53-vjeçari Arben Bajo, në profesion është skulptor dhe pedagog tek Universiteti i Arteve.
Arben Bajo ka çelur disa ekspozita personale brenda edhe jashtë vendit.
Kush ishte Arben Bajo:
Arben Bajo ka lindur në vitin 1967 në Gjirokastër, ka kryer liceun në Fier dhe studioi skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë, (1988-1992). Ai ka hapur shumë ekspozita personale në Shqipëri dhe jashtë vendit.
Arben Bajo është realizuesi i shtatores së At Zef Pellumbit që ndodhet në Shëngjin, punim të cilin e ka bërë bashkë me djalin e kryeministrit Edi Rama, Gregori.
Bajo ka realizuar edhe skulpturën e Asim Zenelit, Vaçe Zelës në Lushnje, etj.
Gjatë gjithë krijimtarisë së tij Arben Bajo njihet si skulptor figurativ, por me një këndvështrim bashkëkohor.
Ai numëron nëntë ekspozita personale e të pafundme kolektive dhe ajo që vërehet më së shumti në veprat e tij janë mesazhet që përcjell për humanizmin.
Studioja e Arben Bajo ka portrete të shumta, nudo femërore, si dhe personazhe mitologjikë.