“Menaxhimi me probleme”, Rama replikon me përfaqësuesin e biznesit: Folklor! Nuk prodhojmë dot energji sa na duhet  

schedule11:29 - 9 Shtator, 2022

schedule 11:29 - 9 Shtator, 2022

Kryeministri Edi Rama ripërsëriti me bindje se Shqipëria nuk prodhon dot energji aq sa i duhet për konsum. Në takimin me dhomat e biznesit, një prej përfaqësuesve i deklaroi kryeministrit të kundërtën, duke thënë se sistemi energjetik shqiptar ka kapacitet të instaluar 20% më shumë seç konsumojmë. Por kjo u hodh poshtë nga Rama, i cili tha se është e pavërtetë.

Kreu i qeverisë mohoi gjithashtu se sistemi energjetik është keqmenaxhuar. Sipas tij zgjidhje kësaj situate do t’i japë ndërtimi i Skavicës.

Replikat:

Përfaqësuesi i biznesit: Sistemi energjetik shqiptar ka kapacitet të instaluar 20% më shumë seç konsumojmë

Edi Rama: Kjo është e pavërtetë

Përfaqësuesi i biznesit: Unë kështu e di…

Edi Rama: Ky nuk është opinion. E kuptova bazën e arsyetimit.

Përfaqësuesi i biznesit: E dyta është fakti që menaxhimi i sistemit ka problematika. Duke filluar nga 2021 ju e keni të qartë që problematikat janë të mëdha.

Edi Rama: Falë menaxhimit të sistemit ne po i mbijetojmë goditjes. Ka shumë folklor në këtë temë. Shqipëria nuk prodhim edhe në ditën e vet më të mirë, në 2011 që ka qenë viti me reshje më të larta, Shqipëria nuk e ka prodhuar të gjithë energjinë që konsumon. Ky nuk është opinion, por fakt. Kjo është arsyeja pse Shqipëria duhet të dalë në treg dhe duhet ti nënshtrohet logjikës së çmimeve të rritura në mënyrë katastrofike. Ajo që po bëjmë është pikërisht zbatimi hap pas hapi i një programi për ta pavarësuar Shqipërinë në aspektin energjetike dhe për ta kthyer në një vend eksportues neto të energjisë. Për këtë arsye po ecim me ndërtimin e  Skavicës. Mungesa e Skavicës është një nga arsyet që nuk jemi të pavarur në aspektin energjetik. Ne kemi shumë më pak sesa nevoja. Me Skavicën do të optimizojmë kaskadën tonë kryesore. Nuk do të derdhim ujë nëpër fusha kur diga vihet në rrezik për shkak të mbushjes dhe nuk do të dalim as sa dalim në periudhën e thatë sepse do të përdorim ujin e mbledhur gjatë dimrit.

/abcnews.al