Menaxhimi i mbetjeve urbane, sistem i unifikuar për kostimin dhe tarifimin

schedule17:49 - 17 Maj, 2018

schedule 17:49 - 17 Maj, 2018

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, kërkoi mendimin e profesorëve për trajtimin e mbi 180 vendgrumbullimeve problematike në vend. Ndërkohë deklaroi se shumë shpejt do të miratohet një mënyrë e barabartë përllogaritje të kostove për menaxhimin e mbetjeve në çdo bashki.

Kosto dhe tarifa për menaxhimin e mbetjeve urbane do të përllogaritet, sipas një sistemi unik në të gjitha bashkitë. Vendimi, sipas ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, do të miratohet së shpejti. Synimi është vendosja e rregullave të barabarta.

“Tirana që është bashkia më e madhe në vend dhe që ka natyrisht aksionin më të madh të pastrimit, në 4-5 rajone të ndryshme ka 4-5 mënyra të ndryshme trajtimi , përllogaritjeje, edhe investimi në pastrimin e trajtimin e mbetjeve urbane. Për të mos folur pastaj që Tirana e ka ndryshe. Tirana e Durrësi e ka ndryshe nga Fieri ndryshe nga Ura Vajgurore dhe ndryshe nga Policani. Pra sa më e vogël të jetë bashkia ka një mënyrë tjetër përllogaritjeje mbetjesh urbane dhe kjo ka bërë që paratë e taksapaguesëve shqiptarë në buxhetin qendror apo lokal të harxhoheshin në mënyra të ndryshme dhe jo të mirëmenaxhuara”.

Në simpoziumin shkencor ndërkombëtar për sfidat e trajtimit të mbetjeve organizuar nga Departamenti i Inxhinierisë së Mjedisit, ministri Blendi Klosi gjithashtu kërkoi mendimin e profesorëve për trajtimin e mbi 180 vendgrumbullimeve problematike të evidentuara në masterplanin e mbetjeve.

“Tani që ne kemi një fotografim të situatës, ne na duhet që të kemi mendimin inxhinierik, sesi këto veprime mund të bëhen të qendrueshme dhe për të kuptuar që po realisht ne mund të pastrojmë këto vendgrumbullime urbane të cilat e bëjnë Shqipërinë krejt ndryshe nga një vend normal europian. Nuk është një kosto e papërballueshme, është një menaxhim i papranueshëm”.

Ndërkohë,  kreu i Turizmit dhe Mjedisit, theksoi se 100 fshatrat turistikë do të jenë modelet e para të ndarjes së mbetjeve në burim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!