Skënderbeu pret nesër Kastriotin dhe për korçarët tre pikët janë të domosdoshme, në rast se duan të shpëtojnë prej rënies nga Superiorja. Humbja e fundit me Bylisin nuk u prit mirë dhe trajneri Migen Memelli foli edhe në lidhje me gjykimin, madje lëshoi akuza të forta.
Gjithsesi në konferencën e sotme ai theksoi se duhet të shohin përpara: “Gjykimi? Nuk kam asnjë problem për këtë pjesë, ajo çka duhet është të kemi mendjen te ndeshja e radhës. Çfarë ka kaluar nuk e kthejmë dot pas. E rëndësishme është të mendojmë për ndeshjen e radhës”.
Në lidhje me duelin me krutanët, trajneri i Skënderbeut shtoi: “Takimin e kemi përgatitur mjaft mirë. Skuadra ka qenë e impenjuar në seancat stërvitore. Çdo ndeshje është finale për ne, sikurse edhe e nesërmja. Jemi në një situatë ku ndeshjet pa asnjë diskutim duhet t’i vlerësojmë në maksimum.
Tre pikët mund të na ngrenë në tabelë goxha. Sigurisht, pa dashur të largoj presionin nga skuadra, lojtarët duhet të kenë qartësinë dhe kthjelltësinë e duhur përpara këtij takimi. Këto elementë mund t’i bëjë që nga ana psikologjike të jenë në lartësinë e duhur”.
Kastrioti është një skuadër agresive dhe kjo ju vu në dukje Memellit, sikurse edhe fakti që korçarët janë disi të butë. Tekniku nuk bie dakord me këtë pjesë: “Nuk kemi qenë të butë gjatë këtyre katër ndeshjeve që e drejtoj unë skuadrën.
Sigurisht intensiteti dhe grinta janë rritur, gjë që e kemi dashur që në fillim. E vlerësojmë maksimalisht skuadrën e Kastriotit, si një skuadër me karakter të fortë. Ne kundërshtarët do t’i vlerësojmë maksimalisht, për të marrë pikët e plota”.
Në fund, në lidhje me formacionin, Memelli tha: “Përveç Marës së dëmtuar dhe Taipit me karton të kuq, e gjithë pjesa tjetër e skuadrës është e plotë. Do shikojmë në seancë dhe do vendosim të luajnë ata që janë më të përshtatshëm për këtë ndeshje”. /abcnews.al