Migen Memelli debutoi me humbje në krye të Skënderbeut. Ish-sulmuesi, këtë herë foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport në rolin e trajnerit. Ai analizoi atë që ndodhi me skuadrën e tij në fushën e blertë.
“Punuam në këto tre ditë që jam te Skënderbeu. Duhet të dalim nga kjo situatë. Tirana ka një katërshe të fortë në sulm, ushtron një presion të vazhdueshëm dhe i kërkova djemve të rezistonin 30 minutat e para.
Pësuam dy gola, u goditëm, ishin dy momente kritike për ne. Pjesa tjetër e lojës ishte e balancuar. Gjërat vështirësohen kur shkon në disavantazh të dyfishtë.
Kemi probleme, në ditët që vijnë na pret një punë e madhe dhe ndeshje të vështirë. Do të punojmë me lojtarët në të dy fazat e lojës. Lojtarët duhet të jenë të përgjegjshëm për situatën dhe të ndërgjegjshëm për vendin ku ndodhemi në renditje.
Si mund të shpëtojmë? Ky është objektivi, nuk mund të fshihemi. Marrim gola shumë të lehtë, në kufijtë e fëminorit, por djemtë kanë dëshirë për të punuar. Duke u bazuar te ky aspekt, kam përshtypjen që në javët në vazhdim do të dalim nga kjo vështirësi.
Jemi munduar të punojmë në aspektin psikologjik me skuadrën. E dyta, do mundohemi të punojmë në aspektin ofensiv. Por, rëndësi ka të punojmë më shumë në aspektin defensiv, kemi pësuar 36 gola. Duhet të rregullojmë fazën mbrojtëse.
Kemi marrë gola të thjeshtë, lojtarët nuk kanë eksperiencë, pasi kanë moshë të re. Dëshirës së tyre do i shtojmë punë dhe detaje që na mungojnë. Të vazhdojmë përpara, të minimizojmë gabimet dhe të ecim përpara me pozitivitet“, përfundoi Migen Memelli. /abcnews.al