Skënderbeu doli pa pikë nga ndeshja shtëpiake kundër Laçit. Bardhezinjtë fituan 0-2 dhe kapën kreun e renditjes, ndërsa trajneri i ekipit korçar, Migen Memelli, analizoi ndeshjen e sotme për Supersport.
“Bëmë një ndeshje të mirë në pjesën e parë. 45 minuta me intensitet dhe ritëm. Kishim shanset tona, teksa kam dyshimet e mia për dy ndërhyrje ndaj Meksit dhe Mensah. Janë thjesht dyshime, mos të harrojmë që Laçi mori një penallti të tillë kundër Kukësit.
Pjesën e dytë e filluam mirë për 10 minuta, por treshja e mesit të fushës gaboi. Laçi na kapi në tranzicion dhe erdhi faulli i golit të parë. Më pas erdhi gafa te goli i dytë, lojtari ynë duhet ta nxirrte topin jashtë.
Nuk dua t’i heq meritat Laçit, janë me meritë në vend të parë. Agonizmi vjen kur gjërat bëhen mirë në fushë, ke suportin që duhet dhe merr atë që të takon. Më duhet ta shikoj rastin e penalltisë, dua të krijoj bindje.
Në Shqipëri, nëse kalon në avantazh lehtësohet gjithçka për të fituar. Nuk dua të bëj ekspertin, por kemi marrë 7 penallti kundër në kampionat. Duam që të mbahen ndeshjet në mënyrë korrekte, sot ishte gjykimi korrekt, por detajet e vogla në kushtëzojnë në marrjen e rezultateve pozitive kundër ekipeve të mëdha.
Mazrekajn e kam prekur edhe dje në analizë. Ai është lojtar që të krijon probleme në mbrojtje. Lojtarët në një moment apo tjetër, e humbasin vigjilencën. Mendoj se Mazrekajn e izoluam mirë. Te goli është veprim individual, ai ka teknikë të nivelit të lartë.
Gabimi që mund të eliminonim dhe duhet ta eliminonim, është rasti i nxjerrjes së topit jashtë loje te goli i dytë. Janë edhe 12 ndeshje, asgjë nuk ka mbaruar dhe gara vazhdon“, përfundoi trajneri i Skënderbeut. /abcnews.al