Migen Memelli nuk u ka besuar syve çfarë humbi në fund të ndeshjes Mensah. Trajneri i Skënderbeut, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, u shpreh:
“Ishin momentet e fundit dhe e kishim parashikuar që do kishim një kundërshtar direkt. Shanset do i kemi në çdo ndeshje. Mua nuk do të më dilte topi jashtë në atë rast, do të ishte në rrjetë. 140 gola në Superiore nuk janë rastësi”.
“Mendoj që i kemi bërë gjërat mirë, nuk kishte dhuratë më të mirë për ne se kjo performancë sot. Trepikëshi do të na jepte më shumë qetësi, por detyra jonë është të vendosim një skuadër sa më solide në fushë”.
“Kemi lojtarë të mirë, por brishtësia na penalizon. Mensah është vetëm 21-vjeçar dhe kjo e penalizon, na ka ndihmuar në ndeshje të tjera dhe e sotmja është vetëm një episod”.
“E di shumë mirë se çfarë lojtarësh kam dhe kapacitet që ato kanë, nga kjo ndeshje ka pengje si ai rasti i Mensah. Por, edhe një gol i anuluar dhe një penallti e padhënë. Ne na pëlqen të vuajmë, por jemi solidë dhe bëjmë shumë metra në fushë.
Kemi Nikaj dhe Pusin, Bismark është i larguar. Unë shoh grupin dhe jo individët. Por, merkato nuk ofron shumë në janar. Mendoj që duhet të bëjmë plotësimet tona si çdo skuadër e Superiores”, tha Memelli. / abcnews.al