“Mëkatet” e zytarëve të Ministrisë së Drejtësisë

schedule21:23 - 9 Shkurt, 2019

schedule 21:23 - 9 Shkurt, 2019

ABC News ka siguruar një kopje të dosjes së prokurorisë ndaj 12 zyrtarëve të Ministrisë të Drejtësisë, të akuzuar për abuzime me 5 procedura tenderuese.  

Dosja penale ndaj 12 zyrtarëve e ish-zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, të akuzuar për abuzime me pesë tendera në periudhën 2016-2017 nxjerr në dritë shkeljet flagrante të kryera në një nga institucionet më të rëndësishme të vendit. ABC News zbardh shkeljet e konstatuara në një prej këtyre praktikave, tenderin për “Sistemin e monitorimit me kamera të burgut të Lezhës dhe Fushë-Krujës”.

Kontrata e këtij prokurimi është nënshkruar në Maj 2017 me një vlerë prej gati prej gati 100 milionë lekë. Sipas dokumentacionit të administruara, prokuroria pretendon se operatori ekonomik fitues i tij, i përbërë nga një bashkim  operatorësh nuk i plotëson kriteret e përgjithshme dhe të veçanta të kualifikimit.

Një nga operatorët që ka marrë përsipër 27.5 për qind të shërbimeve, nuk plotëson kriterin për kapacitetin e gjendjes financiare sepse nuk ka paraqitur asnjë document për të vërtetuar këtë kriter.

Ndërkohë, operatori tjetër nuk ka paraqitur deklaratën e origjinës së mallit. Për të njëjtën kontratë ka rezultuar se procedura zyrtare e prokurimit ka nisur pa marrë më parë një miratim nga Dega e Thesarit në Ministrinë e Drejtësisë në lidhje me fondin buxhetor në dispozicion, duke bërë që shuma e hartuara në urdhrin e prokurimit të jetë më e madhe se buxheti.

Prokuroria ka administruar edhe një shkresë të kreut të Burgjeve të Gushtit 2018, ku informon se sistemi i monitorimit me kamera nuk mund të merret në dorëzim, pasi nuk ka mbaruar instalimi i tyre dhe konfigurimi dhe se monitorimi vijohet me sistemet e vjetra.

Pas gjetjes së shkeljeve në 5 procedura tenderimi, prokuroria ngriti dyshime për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tendera” për 12 zyrtarë e ish-zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, mes të cilëve edhe ish-Sekretarja e Përgjithshme, Juliana Hoxha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!