“Mëkatet” e presidentit, akuzat e PS: Nga vrasja në Elbasan, heshtja zgjedhore dhe sherri me SHBA

schedule21:48 - 6 Maj, 2021

schedule 21:48 - 6 Maj, 2021

Zbardhet kërkesa e 49 deputetëve të opozitës për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Në raportin e Komisionit të Ligjeve thuhet se kreu i shtetit ka kryer shkelje të rënda në periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore. Sipas tyre këto sjellje janë bërë shkak për ndasi sociale-politike dhe nuk i kanë shërbyer interesit të përgjithshëm të popullit shqiptar.

“Presidenti i Republikës ka kryer në mënyrë të përsëritur disa akte dhe sjellje të cilat në vlerësimin e deputetëve përbëjnë shkelje të rënda dhe flagrante të Kushtetutës. Këto akte janë bërë shkak për ndasi sociale-politike dhe nuk i kanë shërbyer interesit të përgjithshëm të popullit shqiptar.

Aktet e Presidentit konsistojnë në sjellje dhe mesazhe publike të tij në kundërshtim me parimin e unitetit të popullit, të papajtueshme me cilësinë e Kreut të Shtetit, të cilat nuk përkojnë me rolin e tij përfaqësues dhe ekuilibrues në jetën e vendit”, thuhet në raport.

Deputetët e maxhorancës thonë se Meta nuk ka garantuar unitetin kombëtar dhe nuk ka moderuar konfliktin politik por sipas tyre e ka nxitur atë në terma që kanë nxitur militantët të dalin në rrugë duke terrorizuar qytetarët. Në këtë pikë ata i faturojnë presidentit edhe vrasjen në Elbasan ku humbi jetën Pjerin Xhuvani gjatë përplasje të nisur për shkak të shitblerjes së votës.

“Në abuzim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore si dhe në kushtet e shkeljes së rëndë dhe flagrante të Kushtetutës, Z Ilir Meta para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore të 2021, me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik,

por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla të cilat krijuan premisa për daljen e militantëve të partive politike në rrugë, duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë dhe humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve, përfshirë vënien në rrezik të jetës së efektivëve të Policisë së Shtetit”, thuhet në raport.

Ndër të tjera vihet theksi te qëndrimi i presidentit i cili konsiderohet denigrues për maxhorancën dhe favorizues për opozitën që sipas socialistëve cenon barazinë e konkurrimit politik. Ata shprehen se Meta ka thyer edhe heshtjen zgjedhore një ditë para votimeve.

Pikërisht në këtë ditë ata thonë se kreu i shtetit ka shpërndarë mesazhe denigruese ndaj ambasadorëve të huaj në Shqipëri duke i cilësuar ata si të shitur te maxhoranca. Kjo thonë socialistët ka cenuar të drejtat e individëve dhe reputacionin e vendit në marrëdhëniet me BE dhe SHBA.

“Mesazhet publike të Presidentit një ditë para ditës së votimit, e rregulluar ligjërisht si dita e heshtjes zgjedhore në respekt të të drejtës kushtetuese të individëve për të zgjedhur, intervistat e tij të shpeshta, në mediat print, audiovizive apo mediat elektronike, mesazhet ditore në rrjete sociale, të mbushura me etiketime ndaj figurave të larta shtetërore si Kryeministri, deputetë apo drejtues politikë të maxhorancës në qarqe të caktuara, mesazhe denigruese ndaj përfaqësuesve të lartë të misioneve diplomatike në Shqipëri si persona të shituar e të blerë nga mazhoranca apo

Kryeministri, jo vetëm ulën besueshmërinë e Presidentit si përfaqësues i unitetit të kombit, si një entitet unik, i cili ka si funksion promovimin e imazhit dhe reputacionit 3 të kombit të vet si brenda dhe jashtë vendit, por të publikuara edhe nga mediat e huaja cënuan rëndë të drejtat kushtetuese të individëve, imazhin dhe reputacionin e vendit dhe marrëdhëniet me partnerët strategjike të Shqipërisë si BE dhe SHBA”, shprehet socialistët./mv.abcnews.al