Mehmeti: Skuka mungesë e rëndësishme, por kemi alternativa! Kastrioti i organizuar

schedule11:58 - 18 Mars, 2022

schedule 11:58 - 18 Mars, 2022

Dritan Mehmeti, trajneri i Partizanit, në prag të ndeshjes me Kastriotin ka dalë para mediave. Ai fillimisht foli për mungesat në skuadrën e tij. “Për sa i përket mënyrës se si e interpretuam ndeshjen me Egnatian, ka pasur shumë situata që i kemi analizuar. Megjithatë ky është futbolli. Kur i interpreton në mënyrën jo të duhur, duhet të nxjerrësh mësime. Është e vërtetë që kemi mungesa të rëndësishme. Në filozofinë time të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Kur kemi mungesa i japim mundësi dhe të tjerëve”.

“Kastrioti? Është skuadër e pozicionuar mirë në fushë. Kanë agresivitet të lartë. E interpretojnë mirë futbollin dhe i marrin maksimumin elementëve që kanë. Kanë bërë shumë mirë. Po t’i referohemi ndeshjes që kemi dal barazim, kemi pasur mundësitë tona. E rëndësishme është që të kemi vazhdimësi dhe të mos përsërisim gabimet që bëmë me Egnatian”.

“Sulmi ynë? Punoj vazhdimisht me ofensivën. Edhe me Egnatian kemi shkuar përpara portës, edhe me 10 lojtarë dhe me 9 lojtarë. Vetëm në rastet që kemi pasur duhet të ishim më të qetë. Ky është element që duhet ta zgjidhin vetë. Trajneri bën taktikat që t’i çojë deri atje, pastaj lojtarët e zgjidhin vetë”.

“Objektivi? Skuadrën e kam marrë në moment të papërshtatshëm. Skuadra ka pasur si objektiv të dilte kampion në fillim të sezonit. Objektivi minimal janë Kupat e Europës. Nga Kupa apo kampionati? Jemi në garë te të dyja. Kemi dhe 11 javë në kampionat, kemi gjysmëfinalen me Vllazninë. Partizani do të respektojë veten dhe garën. Që nesër ne duhet të mendojmë ndeshjen e radhës dhe ky është objektivi i radhës”.

“Skuka ka bërë mirë. Është duke u rritur për sa i përket vlerave të tij individuale. Ai ka pasur dhe mbështetjen e grupit. Mungesa e tij është e rëndësishme, por të jeni të bindur që Partizani ka elementë shumë të mirë, që do të kërkojmë të ndryshojmë dhe manovrën sulmuese”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!