Megaoperacioni në Fier, Hoxha ngre hije dyshimi mbi institucionet shtetërore: Si u lejua futja e gjithë asaj sasie droge?!

schedule13:31 - 25 Nëntor, 2022

schedule 13:31 - 25 Nëntor, 2022

Një laborator i përpunimit të kokainës u zbulua në fshatin Frakull të Madhe të Fierit ditën e djeshme. Pas një megaoperacioni të SPAK, në bashkëpunim me policinë malazeze dhe DEA-n amerikane, policia sekuestroi rreth 24 ton pleh kimik, ku fshihej 430 kg kokainë.

Gazetari investigativ Artan Hoxha i ftuar në studion e “Abc Live” në ABC me gazetaren Sibora Bitri e cilësoi operacionin si më të suksesshmin që kanë bërë autoritet tona në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Ai ka ngritur hije dyshimi mbi kompaninë e cila ka kryer analizat e plehut organik dhe e ka certifikuar për të kaluar në doganë.

Sasia e plehut organik të kapur është prodhuar në mënyrë artificiale dhe brenda plehut dyshohet se është tretur 430 kg kokainë.

Bëhet fjalë për 24 ton pleh kimik të sekuestruar. Sipas gazetarit Hoxha, sasia e madhe e plehut organik ka tërhequr vëmendjen dhe nga aty ka nisur hetimi. DEA është përpjekur që ta mbajë nën vëzhgim ngarkesën, e cila u nis nga porti kolumbian në fundin e muajit maj. Në korrik ngarkesa ka mbërritur në Portin e Pireut, në Greqi dhe më pas anija në fillim të shtatorit e ka shkarkuar këtë ngarkesë në Portin e Tivarit në Mal të Zi.

Lexo edhe: Laboratori i kokainës në Fier, zbardhen emrat e 10 të arrestuarve shqiptarë

Policia ka kërkuar përfshirjen e autoriteteve malazeze pasi kishin dyshime se ngarkesa mund të merrej që aty. Pasi është shkarkuar është kaluar në skaner.

Hoxha: Kjo ka një kosto. Ta miksosh kokainën me elementë të tjerë dhe ta rikthesh në gjendjen e mëparshme kërkon kimistë të zotë. Karteli kolumbian që e ka shitur ngarkesën, bashkë me të ka pasur dhe kimistët që kanë bërë të mundur këtë gjë. Së pari fshehjen dhe më pas rikthimin nga plehu në një sasi kokaine. Në Malin e Zi sasi e plehut është marrë me kamion, është zhdoganuar në Shqipëri dhe ka ardhur në Tiranë. Ka qëndruar për një kohë të konsiderueshme mbi një muaj në Kombinat. Nga aty ka shkuar në Frakull të Fierit ku u bë dhe goditja e djeshme.

Rreziku më i madh ka qenë frika për dekonspirim, sipas gazetarit. Është kërkuar që të pritet dhe të shkohet deri në fund. Ka pasur një avantazh që kokaina ka qenë e fshehur në pleh dhe nuk mund të kthehej në gjendjen e mëparshme pa kimistët. Sipas gazetarit, ishte e pamundur që ngarkesa të avullonte. Ai shtoi se në Shqipëri hetimi ka nisur në korrik, kur ngarkesa është zbritur në Greqi.

Hoxha: Është mbikëqyrur për 3 muaj, non stop për 24 orë. Në Kombinat ka qenë vazhdimisht në mbikëqyrje, janë përdorur të gjitha asetet nga forcat e posaçme operacionale. Të paktën 60 punonjës janë marrë me mbikëqyrjen e kësaj ngarkese. Gjithashtu është mbajtur nën vëzhgim çdo person që dilte i dyshuar me këtë ngarkesë. Synimi tjetër ishte të gjendeshin porositësit dhe baza ku ajo do të përpunohej në mënyrë që të goditje laboratori. I gjithë mekanizmi ka dashur kohën e vet. Persona e përfshirë në këtë veprimtari kriminale kanë hyrë  në kontakte për të gjetur blerës dhe për të shituar kokainën.

Lexo edhe: Laboratori i drogës në Fier, SPAK del në konferencë: U sekuestrua rreth 430 kg “e bardhë”

Në përgjim janë mbajtur shumë persona, telefonata, është parë se me kë kanë lidhje këta persona, a kanë lidhje jashtë territorit të Shqipërisë, deri ku shkojnë këto lidhje.

Sipas Hoxhës ka qenë një hetim shumë i detajuar dhe shumë i ndryshëm nga hetimet e para.

Hoxha: Personat që prisnin ngarkesën janë përpjekur që të jenë të rregullt nga ana ligjore. Të sigurt që ngarkesa nuk do kapej në skaner, janë kujdesur për pjesën tjetër të dokumentacionit. SPAK i ka të gjitha detajet për të vijuar më tej se si kjo kompani ka siguruar vërtetësinë e analizave. Dihet kompania që ka certifikuar këtë pleh. Ti merr certifikatë sepse nuk kalon dot nga mali, e kalon në doganë. Ata kanë certifikuar dokumentacion të plotë dhe e kanë futur legalisht këtë gjë. Unë nuk e di si janë bërë analizat dhe jam kurioz për këtë. SPAK mbase do na japë një përgjigje. Ata kanë paraqitur analiza në doganë që kjo lëndë është e kontrolluar për tu tregtuar. Pas dokumentacionit, ngarkesa është zhdoganuar, e kanë sjellë në kryeqytet.

Dyshimet, sipas gazetarit, ishin që organizues veprimtarisë kishin emisarë në Kolumbi./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!