Medvedev kërcënon Perëndimin: Shpërbërja e dhunshme e një fuqie bërthamore si Rusia është një lojë shahu me vdekjen

schedule21:02 - 3 Shtator, 2022

schedule 21:02 - 3 Shtator, 2022

Ish-presidenti i Rusisë dhe nënkryetari aktual i Këshillit të Sigurimit, Dmitry Medvedev, ka kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Perëndimin.

Ai shpjegoi se analistët që presin me padurim të shohin një “kolaps” të Rusisë si fuqitë e tjera të mëdha, me rastin e pushtimit të Ukrainës, po luajnë një lojë të rrezikshme.

Ai sulmoi Perëndimin, duke i quajtur “të çoroditur” ata që ëndërrojnë shembjen e vendit.

Deklaratat e Medvedevit, në postimin e tij në rrjetin më të madh social rus, u bënë në të njëjtën ditë kur u bë e ditur se një nëndetëse bërthamore ruse thuhet se ndodhet në Detin Mesdhe, afër Italisë.

Ai iu referua veçanërisht fuqisë bërthamore që ka vendi dhe të cilën e ka ruajtur edhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Duke kaluar te një kërcënim për vendet perëndimore, Dmitry Medvedev shtoi: “Këto përpjekje janë vërtet jashtëzakonisht të rrezikshme” sepse ato “injorojnë një aksiomë të thjeshtë: shpërbërja e dhunshme e një fuqie bërthamore është gjithmonë një lojë shahu me vdekjen”. 

Së fundi, ai e karakterizoi arsenalin bërthamor të Rusisë si “garancia më e mirë për ruajtjen e Rusisë së Madhe”.

“Vendet perëndimore po bëjnë gjithçka që institucionet shtetërore të Rusisë të ndalojnë së punuari”, ka shkruar ai në postimin e tij. 

“Ata duan të privojnë vendin nga qeverisja efektive, siç u bë në vitin 1991. Dhe si rezultat, të eliminojnë Rusinë nga fusha politike”.

Në të njëjtën kohë, një nëndetëse bërthamore ruse raportohet se po lundron në Detin Mesdhe afër Italisë, siç raporton faqja e lajmeve “Naval News”, shkruan gazeta gjermane “Bild”.

Nuk është e qartë se sa kohë ka qëndruar në det, afër Evropës kontinentale./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!