Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, ngre shqetësimin se vendi po shkon drejt një krize politike me BE për shkak të një kryeministri të papërgjegjshëm.
Në një takim me koordinatorët e kësaj partie në njësinë 7, Mediu theksoi se miratimi i njëanshëm i Kodit Zgjedhor në Parlament pa pritur mendimin e Komisionit të Venecias, tregon qartë, se Rama është i vendosur kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë Evropiane.
“Komisioneri për Zgjerimin kërkoi që Komisioni i Venecias të vlerësojë ligjin zgjedhor që ka miratuar në mënyrë të njëanshme Edi Rama, duke shkatërruar të gjithë procesin për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe Komisioni i Venecias apo specialistët ODHIR që ishin parashikuar në marrëveshje ndërmjet pozitës dhe opozitës, kishin autoritetin për të gjykuar sipas marrëveshjes, se sa në përputhje me kriteret e Kopenhagen dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, do të ishte Kodi Zgjedhor. Në rast se do të kishte mendime të ndryshme ndërmjet pozitës dhe opozitës, ata do të ishin fjala e fundit, gjë që e injoroi tërësisht Edi Rama. Kush ju thotë mos u merrni me politikë, kërkon që të mos dëgjohet zëri juaj. Kush ju thotë mos shkoni në votime, kërkon që të kontrollojë lirinë tuaj”, tha Mediu.
Për të shmangur shkatërrimin e zgjedhjeve të lira në 25 prill, Mediu i bën apel opozitës që të bashkohen për të garantuar zgjedhje dhe të ndershme dhe një të ardhme Evropiane për shqiptarët.
/abcnews.al/