Ambasadori spanjoll kishte kërkuar që Haradinaj të mos prezantohej si kryeministër Mediat kosovare raportojnë se kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, anuloi takimin e së premtes me ambasadorët e Nato-s për shkak të ambasadorit spanjoll i cili kishte kërkuar që Haradinaj të mos prezantohej si kryeministër dhe zyrtarët e Forcave të sigurisë së Kosovës të mos kishin uniformë Kryeministri Ramush Haradinaj refuzoi të premten, një takim dhe një konferencë të përbashkët për mediat me zyrtarët e lartë në NATO’s, në Selinë e KFOR’it, në Prishtinë. Kjo ndodhi pasi Haradinaj nuk pranoi kushtet e vendosura nga ambasadori spanjoll në Aleancën Veri-atlantike. Një nga kushtet ishte që Ramush Haradinaj të mos prezantohej si kreu i ekzekutivit. Diplomati spanjoll, po ashtu, kishte kërkuar që zyrtarët e FSK’së të mos ishin me uniforma gjatë takimit. Kërkesa e ambasadorit spanjoll të NATO-s, erdhi pikërisht në ditën kur Spanja u përball me shpalljen e pavarësisë së Katalonjës. Sipas raportimit të mediave kosovare, ambasadori spanjoll pretendonte të vendoste për mënyrën e prezantimit të institucioneve të Kosovës. Ambasadori spanjoll kishte kërkuar që asnjë zyrtar i Shtetit të Kosovës të mos prezantohen në takim me funksionet që ushtron duke argumentuar kërkesat e tij me faktin që Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e rrjedhimisht as statusin zyrtar të këtyre personaliteve. Burime të Express u shprehën se kryeministri Haradinaj as pas negociatave me pjesëmarrësit e delegacionit, nuk ka pranuar të marrë pjesë në takim. Zyrtarja e lartë e NATO’s gjatë ditës së premte është takuar me Presidentin Thaçi ndërkohë që vetëm dy ambasadorë, ai i Amerikës dhe Britanisë së Madhe u takuan me Thaçin dhe Haradinaj në ndërtesën e institucioneve të Kosovës. Delegacioni i NATO’s u drejtua nga zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO’s Rose Gotenmoeller. Ajo iu referua zyrtarëve të Kosovës vetëm me emra personalë, pa përmendur postet. Qëndrimi i NATO’s është pasojë e mosnjohjes së p;avarësisë së Kosovës nga 4 vende anëtare, nga 29 anëtarët e aleancës ushtarake.
Mediat Kosovare: Kryeministri Haradinaj refuzoi takimin me ambasadorët e NATO-s
schedule16:41 - 28 Tetor, 2017
schedule 16:41 - 28 Tetor, 2017