Bisedimet mbi çështjen bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit, të planifikuara fillimisht të mbaheshin në Turqi, tani pritet të zhvillohen në Oman, raportoi portali i lajmeve Axios.
“Bisedimet bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit pritet të mbahen në Oman të premten”, tha korrespondenti i Axiosit, Barak Ravid, në rrjetin social amerikan X, duke cituar një burim arab.
Axios raportoi fillimisht se Teherani dëshironte t’i zhvendoste bisedimet në shtetin e Gjirit nga Stambolli, ku ishin planifikuar sipas planit të mëparshëm. Ravid më pas shtoi se Washingtoni e ka pranuar këtë kërkesë.
“Negociatat janë ende duke u zhvilluar lidhur me atë nëse vendet arabe dhe myslimane nga rajoni do t’u bashkohen bisedimeve në Oman”, shtoi ai.
As Shtëpia e Bardhë, as Ankaraja, Maskati apo Teherani e kanë konfirmuar menjëherë lajmin.
I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, ishte planifikuar të takohej me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në Stamboll të premten për bisedime mbi programin bërthamor të Iranit, sipas disa raportimeve të publikuara këtë javë.
Megjithatë, Axios raportoi të martën se Irani kishte kërkuar ndryshime në vendndodhjen e bisedimeve dhe kishte kushtëzuar gjithashtu ndryshimin e formatit të tyre.
Sipas raportimeve, përfaqësues nga Turqia, Egjipti dhe Katari pritej t’u bashkoheshin bisedimeve, por Axios tha se Irani, përveç ndryshimit të vendit, po këmbëngul edhe që bisedimet të zhvillohen drejtpërdrejt.


