Gjithnjë e më shumë italianë po zgjedhin Shqipërinë, por a është vërtet një vend i përshtatshem për të jetuar atje?
Kohët e fundit, shumë italianë kanë zgjedhur të jetojnë në një vend jashtë BE-së – që ofron një kosto më të ulët jetese dhe që nuk është shumë larg vendit të tyre, shkruan Mattia Senese në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “Gaeta.it”.
Shumë prej tyre, në fakt, kanë treguar interes për vendet e Ballkanit, veçanërisht Shqipërinë.
Vitet e fundit, numri i turistëve italianë është rritur në mënyrë dramatike, pavarësisht se ata jetojnë në anën tjetër të Adriatikut.
Kostot e qëndrimit në Shqipëri janë pothuajse sa gjysma e atyre në Itali.
Kjo është arsyeja pse shumë prej tyre kanë zgjedhur Shqipërinë për të jetuar. Por, a ia vlen vërtet?
Shqipëria ka një ekonomi në zhvillim dhe për momentin shumë shërbime kanë ende një kosto shumë të ulët.
Gjatë verës, në mes të korrikut dhe gushtit, ju mund të merrni me qira një dhomë për dy persona në një hotel – me mëngjesin e përfshirë – për më pak se 70 euro.
Një ditë në plazh me çadër dhe shezlong kushton më pak se 20 euro për dy persona.
Gjithashtu, ju do të keni mundësi të vizitoni plazhe të bukura dhe detin e kristaltë, si Dhërmiu, Himara dhe Saranda.
Një vakt në një restorant lokal kushton mesatarisht 25 euro për dy persona, çmimi është pak më i lartë nëse porosisni peshk – dhe më pak nëse i referohemi një picerie.
Sipas analistëve, italianët e shohin Shqipërinë e sotme me njëfarë melankolie – në fund të fundit, deti Adriatik, plazhet, kuzhina, kthejnë pas në kohë vendpushimet italiane me çmimet e 20 viteve më parë.
Sipas një studimi të fundit, shumë italianë kanë hequr dorë nga pushimet në vendin e tyre – për shkak të çmimeve të larta, duke preferuar destinacionet e huaja.
Për të bërë një krahasim, një javë në Shqipëri për dy persona kushton 500 euro – një shifër e paimagjinueshme në Itali, ku e njëjta shumë do të shpenzohej vetëm për hotelin.
Pra, përgjigjja do të ishte: Po, Shqipëria është shumë e përshtatshme dhe ia vlen të përfshihet në listën e destinacioneve të pushimeve për vitin e ardhshëm.