“Më vranë vëllain me plumb qorr”, shpërthen në lot mjeshtra e cirkut shqiptar: Duhet të vazhdoja shfaqjen

schedule12:53 - 3 Mars, 2023

schedule 12:53 - 3 Mars, 2023

Gjatë rrëfimit të saj në “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, mjeshtrja e cirkut shqiptar, Fitnete Duro, i ka emocionuar të gjithë kur me lot në sy ka treguar momentin e saj më të vështirë në sallën e cirkut. Ajo zbuloi se vëllain ia kanë vrarë me një plumb qorr dhe disa ditë më pas, i është dashur të performojë në lartësi, sikur nuk ka ndodhur asgjë.

“Kam pasur momente të vështira. Nuk e kam thënë në asnjë emision, por momenti më i vështirë për mua ka qenë ana shpirtërore, kur mua mu nda nga jeta vëllai im, i ra një plumb qorr dhe unë pas një jave më duhej të jepja shfaqje, të lyhesha, të zbukurohesha dhe duhet të mposhtja atë dhimbjen. Ky ka qenë momenti më i vështirë dhe e kisha numrin në lartësi. E mposhtja dhe bëja numrin, thoja do hipi dhe bëja numrin. Qeshja që ta kënaqja gjithë atë spektatorin. Ata kishin ardhur të më shikonin mua, numrin tim, mbrapa pastaj bëj çfarë të duash. Ky ka qenë momenti më i vështirë për mua në skenë”, u shpreh Duro.

Më tej, ajo ndau edhe momentin më të bukur, i cili padyshim lidhet me vajzat e saj dhe performancat e tyre në sallë.

“Të bukura më dukeshin të gjitha kur performoja, kur dilte Klaudia dhe dilte Era, unë atë kam momentin më të bukur, kënaqesha me fëmijët. Unë atë kam momentin më të bukur. Kënaqesha me vajzat e mia”, tha mjeshtrja e cirkut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!