Me veshje antiplumb në “Sheshin e Kuq”/ Vladimir Putin frikësohet edhe nga rrethi i ngushtë, shton sigurinë personale

schedule18:00 - 4 Qershor, 2024

schedule 18:00 - 4 Qershor, 2024

Shërbimet speciale të Rusisë kanë rritur masat tashmë të rrepta të sigurisë që rrethojnë presidentin, Vladimir Putin në një shkallë të paprecedentë, thanë për The Moscow Times dy zyrtarë rusë që kanë qenë të pranishëm në shumë paraqitje publike të 71-vjeçarit.

Kremlini-tashmë në gatishmëri të shtuar të sigurisë për shkak të pushtimit të Ukrainës – është tronditur nga sulmet e fundit ndaj politikanëve të rangut të lartë në Evropë dhe Azi dhe ka rritur sigurinë e Putinit.

“Kremlini e merr shumë seriozisht sigurinë e Vladimir Putinit. Ai mbrohet nga një ushtri e tërë rojesh të dukshme dhe të padukshme”, tha një zyrtar rus që mori pjesë në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj për The Moscow Times.

Ai, si të gjitha burimet ruse të intervistuara për këtë histori, foli për The Moscow Times në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Ndër faktorët e rrezikut për Kremlinin janë urdhri i arrestit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për Putinin me akuza për krime lufte, si dhe rreziku i sulmeve me dron, sabotazhi ukrainas dhe sulmeve nga radikalët islamikë, tha një zyrtar i dytë.

Ai shtoi se Kremlini ishte në gatishmëri veçanërisht të lartë pas vrasjes së ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe në vitin 2022 dhe tentativës së muajit të kaluar për të vrarë kryeministrin sllovak, Robert Fico. Kremlini ka thënë publikisht se nuk kishte nevojë të rriste sigurinë e tij.

“Masat e sigurisë janë në nivel standard. Ne po bëjmë gjithçka që duhet bërë për të garantuar sigurinë e presidentit”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pas atentatit ndaj Ficos.

“Presidenti ka kuzhinierë personalë që udhëtojnë gjithmonë me të. Edhe sendet ushqimore sillen me të”, tha burimi për The Moscow Times dhe shtoi se “por edhe atëherë, ka gjithmonë një grup të veçantë oficerësh që udhëtojnë me Putinin, të cilët kontrollojnë të gjitha vaktet para se Putini të arrijë tek ata”.

Putini ka veshur jelekë anti-plumb në ngjarje publike në natyrë, duke përfshirë Moskën, të paktën që nga viti 2023, thanë për The Moscow Times dy zyrtarët rusë që e kanë parë personalisht presidentin gjatë disa prej këtyre paraqitjeve.

Ai e ka bërë këtë me rekomandimin e fortë të Shërbimit të Sigurisë Presidenciale (SBP), një njësi brenda Shërbimit Federal të Gardës (FSO) që mbron presidentin, tha një nga dy zyrtarët e njohur me këtë çështje.

Sakaq, ‘Dita e Fitores’ është një nga festat më të rëndësishme dhe simbolike të vitit për Kremlinin, me masa të rrepta sigurie dhe përgatitje për paradën masive ushtarake në Sheshin e Kuq duke filluar shumë përpara.