Departamenti i Sigurisë Kombëtare në Shtetet e Bashkuara ka publikuar një raport me shtetasit e huaj më të rrezikshëm që janë ndaluar nga Shërbimi i Doganave dhe Emigracionit.
Në këtë listë janë të përfshirë edhe gjashtë shtetas me origjinë shqiptare. Bëhet fjalë për Vasil Vukaj, që u ndalua në Kaliforni dhe ishte shpallur fajtor për vrasje.
Në Nju Jork u dalua Florjan Delija, i dënuar për sulm ndërsa Adush Muçaj me precedent për sulm fizik u ndalua në Utah. Marian Makai, i dënuar për vjedhje, sjellje të çrregullt dhe kërcënime terroriste, u arrestua në Kaliforni.
Po ashtu në listë janë përfshirë edhe Nikollë Lleshaj dhe Besart Hoxha nga Kosova.
Në njoftimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare thuhet se publikimi i emrave është pjesë e operacioneve për identifikimin dhe largimin e personave të konsideruar si rrezik për sigurinë publike në Shtetet e Bashkuara.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem theksoi se departamenti që ajo drejton po çon përpara premtimin e Donald Trump për të larguar nga vendi të gjithë individët që kanë historik të rënduar kriminal.



