Më shumë të rinj për studime europiane/ Afrimi i anëtarësimit në BE shton interesin për degë të kësaj fushe

schedule15:29 - 28 Maj, 2025

schedule 15:29 - 28 Maj, 2025

Rrugëtimi i Shqipërisë  drejt  Bashkimit Europian ka shtuar interesin e të rinjve për studime në këtë fushë. Mirel Meta është kthyer në auditor  pas nëntë vitesh shkëputje. Pas masterit  për mësues anglishte dhe gjermanishte, po kryen master shkencor dhe për politikë dhe qeverisje të Bashkimit Europian në gjuhë angleze në Institutin e Studimeve Europiane.

“Arsyeja që rikthehem në auditor pas kaq kohësh është për ti dhënë karrierës time një shtysë të re dhe për faktin se Shqipëria është në procesin e negociatave të hapjes së kapitujve për anëtare e BE. Në momentin që Shqipëria do të bëhet pjese e BE do ketë shumë institucione që do hapin zyrat e tyre në Shqipëri.  Ka nevojë për kapacitete, kjo çka qenë nxitje për mua ta konsideroj këtë fushë”, tregon Mireli.

Të  sapo diplomuar,  punonjës të administratës publike,  të sektorit privat,  përfaqësues të shoqërisë civile çdo pasdite i drejtohen sallës që mban emrin e politikanit dhe ekonomistit francez mbështetës i përjetshëm  i  integrimit, Jean Monnet , në  Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë.

“E mira e këtyre programeve, interdisiplinariteti që do të thotë kombinimi mirë i dijeve që lidhen me studimet europiane. Larmia e studenteve është tipar dallues dhe tregues i qartë se këto programe ndiqen nga të gjithë që kanë profil të caktuar dhe kanë një diplomë bachelor ose kane mbaruar nivelin e dytë të studimeve.

Ka rritje të interesit të studentëve në programe sidomos duke iu referuar faktit se ne kemi hapur programe të reja pikërisht në momentumin ku ndodhet Shqipëria. Dua të përmend master ekzekutiv në negociata dhe anëtarësim në BE, master i ri, mjaft interes dhe një program tjetër, politika dhe qeverisja në Europë më parë e kemi pasur vetëm në shqip tani e ofrojmë dhe në anglisht.  Interesi duket dhe tek ata të rinj dhe ata student që e kanë bërë më parë një master e duan të ndjekin një master të dytë”, shprehet Prof.Dr. Migena Leskoviku
Përgjegjëse Departamenti, Instituti i Studimeve Evropiane (ISE).

Klaudia Pata punon përkthyese e njëkohësisht ndjek masterin shkencor për diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare të Bashkimit Europian.

Pasioni i kahershëm është mundësia e të ardhmes.

“Ku është gjeopolitika e ditëve të sotme, jemi në një gjeopolitikë apo gjeoekonomi?  Kush është e ardhmja e botës. Këto kanë qenë ato pyetjet e mija kyç që mbanin të fshehur atë pasionin për diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Shkova jashtë për të vazhduar studimet, më pranuan në universitetin e triestes, mirëpo bëra aplikim për bursë duke qenë se më pranuan  në mars bursat ishin mbyll në dhjetor ishte jashtë buxhetit tim tarifa, fat që gjeta te njëjtin program në Shqipëri, ja ku jam

Ne jemi për mendimin tim në një moment historik.  Kjo është dhe arsye tjetër që dëshiroj të vazhdoj të kontribuoj për vendin tim në një të ardhme të afërt për procesin e integrimit në Bashkimin Europian”, thotë Klaudia Pata.

Në gjashtë programet  në  të dy ciklet, master i shkencave, master ekzekutiv dhe doktoratë në  Institutin e Studimeve Europiane  studiojnë  120 studentë.

Oferta akademike thotë Përgjegjësja e Departamentit   përshtatet me  kërkesat e tregut të punës.

“Diplomat tona janë ndërtuar sipas modeleve europiane dhe janë të përputhshme plotësisht me  standardet europiane që ofrojnë institucione të ngjashme akademike në Europë.”

Nuk ka të ardhme për popujt e Evropës përveçse në bashkim ka thënë Jean Monnet  dikur   ndërsa  sot  shqiptarët renditen ndër popujt më pro integrimit në  unionin prej 27 anëtarësh në rajonin tonë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!