Pasi kanë punuar disa muaj në Shqipëri, këta shtetas nga Sri Lanka janë paraqitur në zyrat e emigracionit në Vlorë për t’u pajisur me leje qëndrimi.
Në Shqipëri kanë ardhur për kushte më të mira, punë dhe jetesë. Vlora u pëlqen dhe mendojnë që të ardhmen ta ndërtojnë në këtë qytet. Ditjon Kulla, administrator i një kompanie tregon se u detyruan të kthejnë sytë nga të huajt pasi punonjës vendas nuk mundën të gjenin.
U kanë siguruar akomodim dhe kushte të tjera, por sërish i frikësohen largimit të tyre drejt vendeve të Bashkimit Europian. Përgjatë këtij viti në zyrën e emigracionit Vlorë kanë aplikuar për leje qëndrimi dhe punësimi gati 500 të huaj, të kombësive te ndryshme.
Gjetja e stafit të kualifikuar mbetet një nga problemet e bizneseve në Shqipëri veçanërisht gjatë sezonit turistik.