“Më shumë investime turke në turizëm”, Rama: Universiteti Teknik turk në Tiranë, hapësirë e re studimesh të nivelit botëror

schedule14:33 - 10 Tetor, 2024

schedule 14:33 - 10 Tetor, 2024

Kryeministri Edi Rama, në deklaratën për mediat me presidentin turk Rexhep Tayip Erdogan, kërkoi më shumë investime të drejtpërdrejta turke në sektorin e turizmit. Kreu i qeverisë u ndal edhe te firmosja e marrëveshjes për Universitetin Teknik turk në Tiranë, duke thënë se do të jetë një hapësirë e re studimesh të një niveli botëror.

“Numri i qytetarëve turq që kanë vizituar Shqipërinë gjatë 8 muajve të parë të këtij viti është rritur me 85 përqind. Dhe nga ana tjetër, duke parë interesin në rritje të përgjithshëm të agjencive të operatorëve turistikë të vendit mik, jemi besimplotë se numri i tyre vitin e ardhshëm do të jetë më mbresëlënës. Në këtë aspekt, presidenti riktheksoi dhe ramë dakord që duhet bërë më shumë për investime të drejtpërdrejta nga ana turke në sektorin e turizmit, ku e dimë të gjithë, dhe falë zotërisë në krahun tim, Turqia ka bërë transformim marramendës dhe është kthyer në një vend që jo thjesht mikpret miliona turistë por edhe ka kapacitet të dijes në nivelin e ekselencës që për ne do të ishte shumë i vyer.

Nga ana tjetër, sot firmosëm disa marrëveshje, më e rëndësishmja dhe më e mirëpritura dhe pak si e shumëpritura ishte firmosja e marrëveshjes për Universitetit Teknik të Stambollit në Tiranë, diçka e rëndësishme në disa aspekte dhe diçka që do të sjellë një hapësirë të re studimesh të larta të një niveli të lartë botëror pasi ai universitet është i kuotuar si ndër më të mirat të botës por dhe sepse është hera e parë në praktikën e Turqisë që bën diçka të tillë. Kjo thjesht dhe vetëm për përkushtimin e Erdogan ndaj kësaj marrëdhënie vëllazërore. Dua ta falenderoj speçifikisht për këtë marrëveshje sot dhe uroj, që të jetë në implementim njerëzit që do të merren me marrëveshjen do të kenë të paktën të gjysmën e energjisë dhe këmbënguljes së presidentit.”, tha Rama./abcnews.al