“Me qeverinë time nuk flitet me gjuhë bojkotesh,” Rama: Harta gjyqësore është ajo dhe nuk ndryshon

schedule13:32 - 1 Korrik, 2022

schedule 13:32 - 1 Korrik, 2022

“Harta gjyqësore: është ajo dhe nuk ndryshon.” Ishte kjo përgjigja e kryeministrit Edi Rama, i pyetur në konferencën e sotme për shtyp nëse Harta e re Gjyqësore do të miratohet edhe pse avokatët e vendit janë futur në bojkot.

Kreu i qeverisë theksoi se me qeverinë që ai drejton nuk mund të flitet me gjuhën e bojkoteve. Rama shtoi se nëse ka grupe që kontestojnë duhet të vijnë dhe të flasin.

Kryeministri shtoi se Shqipëria është një vend i vogël për të pasur “zyra pa fund” ndërsa për avokatët që po bojkotojnë proceset gjyqësore tha se po mbajnë peng qytetarët duke u mohuar shërbimin.

“Harta gjyqësore është ajo dhe nuk ndryshon. Habitem që ka akoma individë që besojnë se me ne mund të flitet me gjuhën e bojkoteve, me gjuhën e shfaqjeve të kokëfortësisë pa zë. Në këtu jemi kush ka diçka për ta ndarë e ka shumë të thjeshtë të na kërkojë, të ulemi të flasim, të dëgjojmë,” tha Rama. /abcnews.al/