Punëtorë të mbajtur në kushte shfrytëzimi dhe në gjendje nevoje, të detyruar të punojnë nën shkelje të përsëritura të rregullave për orarin e punës, pushimet dhe pagat. Ata ishin rekrutuar nga kompania amerikane Caddell Construction përmes kompanisë Dynamic House me seli në New Delhi, dhe ishin sjellë në Milano për ndërtimin e Konsullatës Amerikane.
Me akuzat për shfrytëzim pune dhe ndërmjetësim të paligjshëm, prokurorët Paolo Storari dhe Mauro Clerici kanë vendosur masën e administrimit gjyqësor për kompaninë Caddell, sipas një dekreti të siguruar nga La Repubblica.
“Do t’ju kthejmë në Indi”
Punëtorët paguheshin me më pak se 2 euro në orë. Sipas prokurorisë së Milanos, ekzistonte edhe kërcënimi me pushim nga puna dhe ‘rikthim në Indi’ në rast se nuk pranonin kushtet e shfrytëzimit.
Hetimet po koordinohen nga Karabinierët e njësisë për mbrojtjen e punës.
Nën hetim është edhe Ulas Demir, si dhe vetë kompania, për një “politikë biznesi që pranon shfrytëzimin e punëtorëve”.
“Mekanizëm kriminal, punëtorët paguajnë ryshfet për të punuar”
Nga dëshmitë e punëtorëve të angazhuar në kantierin e Milanos për ndërtimin e konsullatës së re amerikane, sipas prokurorëve, del qartë “një mekanizëm kriminal i përsëritur që nis shumë përpara mbërritjes në kantier”. Fillimisht bëhej rekrutimi në Indi nga “ndërmjetës pa skrupuj”, të cilët premtonin paga dinjitoze. Për t’u nisur drejt Italisë, punëtorëve u kërkohej të paguanin 5 mijë euro për vizën dhe sigurimin e vendit të punës. Prokurorët e cilësojnë këtë si një “pizzo”, pra një lloj zhvatjeje mafioze. Për ta paguar, “punëtorët dhe familjet e tyre futeshin në borxhe të rënda”.
“Turne rraskapitëse, situatë skllavërië”
Sapo mbërrinin në Itali, punëtorët kuptonin se premtimet ishin të rreme.
“Përgjegjësi i kantierit mbante një pjesë të madhe të pagës, që ishte tashmë minimale, me justifikimin e strehimit dhe ushqimit, duke i kërcënuar me pushim nga puna”.
Turne të gjata, mungesë sigurie, kërcënime të vazhdueshme dhe frikë nga kthimi në Indi, prokurorët e përshkruajnë situatën si “para-skllavërisë”.
Punimet për Konsullatën
Projekti i konsullatës së re amerikane, në zonën e ish-Tiro a Segno në Piazzale Accursio, është një investim prej 200 milionë dollarësh.
Gjatë kulmit të punimeve janë angazhuar 450 deri në 500 punëtorë, me një investim direkt në ekonominë lokale prej rreth 65 milionë dollarësh. Punimet, të planifikuara fillimisht të përfundonin në vitin 2025, janë shtyrë deri në vitin 2028. Vetëm gjatë vitit 2025 janë punësuar nga 311 deri në 394 persona, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar më shumë se 300 prej tyre ishin indianë.
“Marr 1 mijë e 500 euro, por paguaj 500 për të fjetur dhe 300 për të ngrënë”
Rreth 30 punëtorë kanë dhënë dëshmi.
Ata rekrutoheshin përmes agjencive ndërmjetëse dhe paguanin 5 mijë euro për të ardhur në Itali. Por sapo mbërrinin, premtimet për një jetë më të mirë zhdukeshin. Punonin gjashtë ditë në javë, mesatarisht 10 orë në ditë, me paga nga 800 deri në 1 mijë e 400 euro në muaj.
Njëri prej tyre deklaroi:
“Fitoja 1 mijë e 400 deri në 1 mijë e 500 euro në muaj, por 510 euro i paguaja për hotelin dhe 350 euro për ushqimin”.
Kjo do të thotë se i mbeteshin vetëm 640 euro, nga të cilat shpesh më shumë se gjysma dërgohej te familja në Indi. Sipas prokurorëve, disa prej tyre mbeteshin në Milano me vetëm 150 euro në muaj.
“Paga 1.31 deri në 1.91 euro në orë, fyerje, kërcënime dhe dhunë”
Nga kontratat rezulton se pagat për orë varionin nga 1.31 deri në 1.91 euro. Kushtet e punës në kantier ishin të rënda: nga ora 06:00 deri në 18:30 çdo ditë, përveç të dielës, pa festa zyrtare.
Sipas dëshmive, drejtuesit e kantierit ishin shtetas turq.
“Fyerjet ishin të përditshme dhe më kërcënonin se do të më kthenin në Indi nëse nuk pranoja ato kushte. Ndonjëherë pati edhe dhunë fizike. Një herë Aji më mbylli në zyrë pasi u ankova për paratë”, tregoi një punëtor.
“Përgjegjësi i turnit më thoshte: bastard, puno më shpejt ose do të të shqyej”, dëshmoi një tjetër.
Prokurorët e përshkruajnë situatën si “një jetë e ashpër dhe pa asnjë ndjeshmëri njerëzore”. Edhe kur punëtorët ishin të sëmurë, ata detyroheshin të shkonin në punë, përndryshe humbnin pagesën e ditës.


