Një aksion i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në zonën e Orikumit është shoqëruar me përplasje me pronarët. Sipas tyre, aksioni është selektiv dhe shprehen se nuk kanë dijeni për projektin që prek pronat e tyre.
Një prej pronarëve u shpreh për kamerën e ABC News se do të largohet sapo të kenë projektin. “Unë fëmijët e mi, jetën e jap para këtij betonit këtu”, tha ai.
“S’ka të drejtë ai që me një eskavator të madh të vijë të më prishë punë që kam vite të tëra që e kam ndërtuar. Rris fëmijët me atë punë. Asnjë lloj projekti s’kemi parë. Në s’kemi bërë krim, jemi në punën tonë, jetojmë”, tha një pronare.
“Kemi një javë që kërkojmë takim me kryetarin e bashkisë, me të gjithë dhe na shmangen. E lamë sot në mëngjes të llafoseshim. As projekt asgjë, të keqen vëllai. Këtu është ahjt e prishim, njëri e prish, tjetrin s’e prish. I kemi mjetet tona, i prishim dhe vetë, por me projekt. Të bie projekt dhe iki vetë unë. Unë fëmijët e mi, jetën e jap para këtij betonit këtu. Ta dëgjojë kush të dojë se nuk mban më ujë pilafi. Më mirë të jem i vdekur familjarisht me fëmijët e mi. Baba më vdiq, nëna më vdiq nga infarkti do vdes dhe vetë. Ka vajtur aq thellë thika… nuk e di. Na thanë që do vijnë sot në mëngjes, tashi i kanë fikur të gjithë telefonat”, tha një pronar tjetër.
Ndërkohë policia ka qëndruar në distancë, por në gatishmëri për të qetësuar situatën. Në listë për t’u shembur janë rreth 60 objekte dhe ky aksion ka për qëllim lirimin e hapësirave për zbatimin e projektit të bregdetit. Ndërtimet që do të rrëzohen janë kryesisht biznese në plazh.
/abcnews.al

