“Me kulturën që kanë shqiptarët s’je i sigurtë”, ç’po ndodh me qytetarët në zonat e gjelbërta

schedule18:52 - 11 Maj, 2020

schedule 18:52 - 11 Maj, 2020

Këtë të hënë listës të qyteteve të gjelbra ju shtuan dhe 15 të tjera. Kjo për shkak se nuk ka më asnjë rast të ri me Covid apo kanë numër shumë të limituar. Por qytetarët që kanë mbushur rrugët, nuk kanë respektuar asnjë nga masat mbrojtëse, s’kanë mbajtur distancë dhe nuk kanë vendosur maska.

Që prej datës 9 maj në Lezhë nuk ka më asnjë rast të prekur me koronavirus. Por kjo s’do të thotë që qytetarët të mos zbatojnë masat.

Qytetarët janë shprehur për “ABC News” se janë të shqetësuar nga mospërdorimi i maskave, ndërsa të tjerë shprehen se duhet më shumë ndërgjegjësim me këtë situatë.

“Më shqetëson shumë,  sepse po i shoh shumë pa maska”, shprehet një qytetar.

“Secili tani po ruhet vetë sepse jemi edhe zonë e gjelbër. Frikë nuk kemi, por kujdes duhet”, thotë një tjetër qytetar.

“Kemi frikë, ishalla na shpëton zoti, sepse kjo është një situatë maramendëse. Me kulturën që kanë shqiptarët s’je i sigurtë”, u shpreh një tjetër qytetar.

Me postblloqe policie dhe ushtrie ndahet që nga kjo e hënë Patosi nga Fieri. Megjithëse vetëm 8 km larg, qyteti i naftëtarëve ka më shumë se 7 javë pa asnjë rast të ri me Covid-19.

Siç duket nga pamjet jo të gjithë banorët janë të kujdesshëm, shumë nga kanë dalë pa maska.

“Nuk e mbaj maskën sepse nuk kam frikë”, u shpreh një qytetar.

Ndërsa kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balili e konsideron këtë hapje, një arsye më tepër për të qenë të kujdesshëm.

“Është një lajm i mirë, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi më e madhe. Është përgjegjësi sepse në do të vazhdojmë të respektojmë rregullat, do të vazhdojmë me një përgjegjshmëri qytetare”, u shpreh Balili.

Po kështu dhe Elbasani edhe pse ende ka tre raste aktive me Covid nga kjo javë renditet mes qyteteve të gjelbra. Në një ditë me diell nëpër rrugë ka pasur shumë qytetarë dhe automjete. Ndërkaq dhe Korça me një të infektuar aktiv dhe të gjithë të tjerët të shëruar nga kjo e hënë konsiderohet qytet i gjelbër.

Këto janë pamjet që vijnë nga Parku Rinia ku duket se qytetarët janë disi më të qetë dhe jo të shumtë në numër. Qytet i gjelbër u shpall dhe Kavaja që pati dhe dy rast humbje jete për shkak të koronavirusit. Në qytet ka pasur shumë lëvizje si të ishte një ditë normale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!