Nga letrat e teleshikuesve në redaksi, tek këshillat që ndiqeshin nga mijëra shqiptarë, farmacistja dhe estetistja Elda Tomcini kujton vitet kur kujdesi për lëkurën ishte ende një koncept i panjohur për shumicën. E ftuar në studio, Tomcini tregon se gati 30 vite më parë drejtonte një program mëngjesi ku qytetarët dërgonin letra me pyetje për shëndetin dhe bukurinë. Interesi ishte aq i madh, sa emisioni vazhdoi për dy vite me radhë, duke u kthyer në një burim informacioni për shumë familje shqiptare.
“Kur hapa farmacinë pati një bum kërkesash. Njerëzit më kërkonin këshilla për gjithçka, madje kishte nga ata që mendonin se mund t’u bëja edhe nuse apo t’u prisja flokët”, rrëfen ajo me humor.
Në një kohë kur besohej se sapuni dhe uji mjaftonin për çdo problem të lëkurës, Tomcini ishte ndër të parat që solli dhe promovoi produktet e kujdesit personal në Shqipëri. Formimi si farmaciste dhe pasioni për estetikën e ndihmuan të ndërthurte dy botë të rëndësishme: shëndetin dhe bukurinë.
Sot, pas dekadash përvoje, ajo paralajmëron për gabimet që bëhen më shpesh nga njerëzit që ndjekin verbërisht trendet e rrjeteve sociale.
“Aknet nuk trajtohen me trendet e TikTok-ut. Çdo lëkurë është unike dhe kërkon diagnostikim të saktë. Produktet virale nuk janë domosdoshmërisht zgjidhja për të gjithë”, thekson Tomcini.
Një tjetër mit që ajo rrëzon lidhet me kolagjenin. Sipas saj, shumë persona e marrin pa një qëllim të qartë dhe presin rezultate të menjëhershme, ndërsa harrojnë rëndësinë e vitaminës C dhe të një stili jetese të shëndetshëm.
Farmacistja ndalet edhe te ekzema, mungesa e vitaminës D gjatë verës, suplementet më të nevojshme gjatë jetës dhe rreziku i fshehtë i kolesterolit të lartë, që shpesh nuk jep simptoma për vite me radhë. Për Elda Tomcinin, sekreti i një lëkure të shëndetshme mbetet i pandryshuar: pastrim i përditshëm, hidratim, mbrojtje nga dielli dhe konsultim me profesionistët.
“Shëndeti dhe kujdesi për lëkurën nuk duhet të bazohen te moda apo trendet, por te informacioni i saktë. Parandalimi është investimi më i mirë që mund t’i bëjmë vetes”, përfundon ajo./abcnews.al


