“Më ka kontaktuar Napoli”, Reja: Ndërhyrjet e presidentëve të paimagjinueshme

schedule17:36 - 16 Shkurt, 2021

schedule 17:36 - 16 Shkurt, 2021

Trajneri i kombëtares, Edoardo Reja vazhdon të këmbëngulë në sjelljen jo normale të klubeve të Kategorisë Superiore, në mentalitetin dhe ndërhyrjet e presidentëve, që sipas tij në Itali as që mund të mendohen.

Reja në një intervistë për Top Channel u shpreh gjithashtu se është kontaktuar nga presidenti i Napolit, De Laurenits mbi rikthimin te Napoli, por projekti në vendin tonë e ka bërë të qëndrojë dhe të vazhdojë të punojë për të rritur futbollin në Shqipëri, që sipas tij nuk i mungon talenti, por mentaliteti.

“Në përgjithësi kampionati shqiptar nuk është keq, por më tepër se sa mungesë lojtarësh, është mungesë mentaliteti. Nuk po arrij të kuptojë çfarë ndodh rreth një klubi këtu. Dëgjoj që edhe presidentët ndërhyjnë shpesh tek puna trajnerit. Kam parë gjëra që në Itali as e imagjinon dot.

 

Sigurisht presidenti mund të takojë trajnerin mund të bisedojë, sepse ka miliona trajnerë, por atë që zgjedh duhet ta dëgjosh dhe të kuptosh çfarë problemesh ka. Për këtë arsye do të kisha dëshirë të takoja si trajnerë ashtu edhe presidentë klubesh.

De Laurentis? E di që presidenti më vlerëson shumë dhe unë e falënderoj. Më ka telefonuar sa herë ka pasur vështirësi, po unë fola edhe me presidentin Duka dhe i thash se do të vazhdojmë bashkë përpara me programin që kemi bërë pasi unë e kam bërë këtë zgjedhje tashmë. Në Itali nuk do të kthehem më asnjëherë të drejtoj.

 

Shqipëria e fundit që do drejtoj? Në futboll mund të ndodh gjithçka, por mua do të më pëlqente që të rrija sa më shumë të ishte e mundur sepse po krijojmë dhe po bëjmë një punë të mirë. Shpresojmë që brenda 3 apo 4 vitesh kjo punë të japi frytet e saj.

Eliminatoret? Këto eliminatore të Botërorit do të jenë një test i madh, por nuk do të thotë se jemi pa objektiv, ne do të synojmë si gjithmonë kualifikimin. Çdo ndeshje që luajmë është shumë e rëndësishme, madje edhe miqësorja me Uellsin, një skuadër e fortë, ku unë do të marr lojtar të rinj, ndoshta ata në një moshë më të avancuar do t’i lë pushim për ndeshjet e shtatorit”, tha Reja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!