Rama: Vorio Epiri ka vdekur/ Kryeministri në Selanik: Greqia dhe Shqipëria, krah për krah në BE

schedule10:38 - 3 Nëntor, 2024

schedule 10:38 - 3 Nëntor, 2024

SELANIK– Pas takimit të parë të turit të tij, në maj në Athinë, kryeministri Edi Rama u rikthye për herë të dytë në Greqi, këtë herë për një takim me shqiptarë të Selanikut. Ky rikthim ka pasur dy momente, jo shumë mikpritëse.

“Dua t’ju shpreh keqardhjen të gjithë gazetarëve të ardhur dje nga Shqipëria për të ndjekur këtë takim, të cilët u bllokuan për disa orë në kufi”, tha ai.

Momenti tjetër kishte të bënte me vetë kryeministrin.

“Diku këtu, rreth e rrotull, një grup fantazmash të gjalla të së shkuarës, janë angazhuar në një protestë kundër ardhjes sime për t’iu takuar ju. Me fletushka dhe me parulla qesharake të frymëzuara nga i ashtuquajtur Vorio Epir, ata kanë bërë këto ditë edhe në adresën time edhe kërcënime, të cilat mua më shkaktojnë vetëm keqardhje”, tha ai.

Këtu shfrytëzoi rastin për të thënë fjalën e fundit për një term, që përdoret nga qarqet nacionaliste greke.

“Verio Epiri është një term i vdekur me kohë e me vakt. Ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të lodhur të qarqeve dhe  e individëve të dalë kohe këtyre anëve”, tha ai.

Megjithatë, pretendimet, incidentet e luhatjet shpesh të marrëdhënieve mes dy vendeve, edhe në nivel drejtues, nuk zbeh rëndësinë strategjike të bashkëpunimit.

“Për Shqipërinë e sotme, Greqia është jo thjesht një vend fqinj, por një partner i pazëvendësueshme, që së bashku me Italinë dhe me Turqinë përbën njërën nga brinjët të trekëndëshit strategjik të politikës së jashtme”

Një prej arsyeve janë vetë shqiptarët që jetojnë atje.

“Për ju shqiptarët e Greqisë, Greqia është shtëpia juaj, ku ju jeni sot qytetarë të barabartë të Evropës njësoj si grekët pa asnjë dallim”

Ndalur tek e ardhmja, thirrja e Ramës lidhet me pranverën e ardhshme dhe synimin e tij për 2030.

“Ju kërkoj votën tuaj nga Greqia për ta bërë Shqipërinë e 2030, anëtare me të drejta të plota me BE. E ardhmja  jonë në be nuk është më e largët siç ishte deri dje, por është e gjitha në duart tona për ta afruar në harkun e pesë viteve të ardhshme”, tha ai.

Objektiv që kreu i qeverisë e lidh ngushtë me goditjen e drejtësisë në nivele të larta.

“Shqipëria sot nuk është më vendi i një kaste të njerëzve të fuqishëm mbi ligjin, Kultura e paligjshmërisë ka marrë goditjen vdekjeprurëse”, tha ai.

Shqiptarëve në Selanik, si edhe të gjithë atyre që ka takuar, gjatë turit të tij të takimeve me Diasporën, u kërkoi të rikthehen në vend.

“Ejani në Shqipëri ku jo vetëm mund të merreni një pagë të ngjashme, po ku paguani shumë më pak taksa dhe detuyrime sesa në Greqi dhe jeni në tokën tuaj, pranë njerëzve tuaj”, tha ai,.

Takimet e kryeministrit me Ramën pritet të vijojnë me shqiptarë në shtete te tjera. ./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!