Me bukuri të rralla natyrore, Kanioni i Setës, një destinacion ideal për turizmin

schedule18:20 - 17 Gusht, 2022

schedule 18:20 - 17 Gusht, 2022

E bekuar me resurse  të shumta natyrore, e rrethuar nga dy parqe kombëtare. Korab-Koritnik në verilindje dhe Lurë – Mali Dejës në perëndim, Dibra ka tërhequr çdo vit më shumë turistë vendas dhe të huaj.

https://youtu.be/WocNxRZ1lgo

“Është momenti që Dibra, të vizitohet nga një pjesë shumë e madhe e shqiptarëve pasi është 85 km”, thotë një prej banorëve.

“Në Dibër bukuri ka pafund, një ndër to është Burimi Sopanikës, Kanioni i Setës, Liqenet e Lurës, mali i Korabit, kemi fshatra, Radomira dhe Rabdishti.

Mes shumë destinacioneve turistike që ofron Dibra, vetëm 20 km nga qyteti i Peshkopisë ndodhet kanioni i Setës, me bukuri natyrore të rralla.

Fillon nga liqenet e Lurës dhe përfundon në Lumin Drin.

Është i gjatë 4 km dhe ndodhet në veri të Parkut kombëtar të Lurës.

“Ky kanion ka një larmishmëri bukurie, është me masive të mëdha shkëmborë, ka ujëvara, ka shpella, ka burime ujore të cilat janë të mrekullueshme dhe e bëjnë të veçantë nga pjesa tjetër”, tregon një prej banorëve.

Janë më qindra burime ujore, ujëvara, shpella, kanione, liqene akullnajore, pyje, lëndina dhe deri tek monumentet historike qe lidhen me vendlidjen e Skenderbeut dhe sekretet e familjes së Kastrioteve.

Në brendësi të Kanionit të Setës gjendet ujëvara e Sopanikës, një ndër më të bukurat, jo vetëm në vendin tonë por edhe në rajon.

“Shpella e Sopanikës është një shpellë rreth 600 -700 metra, është një shpellë që ka stalakmide të cilat janë të krijuara për vite me rallë. Kjo shpellë ka dhe burimin natyror të ujit, i cili krijon këtë ujëvarë që ndodhet pas shpinës sime që quhet ujëvara e Sopanikës”, thotë banori.

Një tjetër vend që nuk duhet humbur pa u parë është edhe kalaja e fshehtë e Skëndërbeut në krahinën e Çidhnës. Ajo ndodhet në krye të Kanionit të Setës, mes shkëmbinjsh dhe pyjesh.

Historiani Haki Përnezha tregon më shumë mbi historinë e kësaj kalaje.

“Kalaja e fshehtë e Skëndëbeut, ne që e kemi parë ka një sipërfaqe të vogël. Aty është një sterë uji me madhësinë 2 me 1.5. ujë mbledhës dhe 2  metra i thellë, pastaj janë edhe tre radhë murësh. Mendohet se atë kala e ka përdorur Skëndërbeu jo për të vendosur ushtri të mëdha, por vendoseshin persona të ndryshme. Ka qenë një kala në mbrojtje. Kjo kala lidhet me Gurë Gurën dhe pastaj lidhet me kalanë e Zhurit që ndodhet në zonën mes Lurës dhe Zallëdardhës dhe në anën tjetër shkon në këtë luginën që shohim ne. Për të shkuar te kjo kala nga këtu ku jemi është mjaft e vështirë”, rrëfen historiani.

Ai tregon të dhëna historike kanë vërtetuar që familja e Skëndërbeut e ka preardhjen nga ky vend.

“Ka toponime të shumtë për figura të familjes së Skënderbeut. Askund në Shqipëri me përjashtim këtu në Dibrën e poshtme nuk gjenden toponime dhe për gjyshin edhe për babain edhe për Skënderbeun. Për Skënderbeun ka plot toponime në të gjithë Shqipërinë, por për gjyshin dhe babain e tij vetëm këtu në Çidhnës gjen”, thotë ai.

Përnezha thotë se kjo zonë ka shërbyer si vendstrehim përgjatë luftrave që nga koha e Skënderbeut.

“Ajo që e merr më shumë vëmendjen e kalasë është se poshtë kalasë i gjithë ky vendi këtu quhet Trojë. Troja ka shërbyer për tu fshehur këta banorë që jetojnë këtu, kanë gjetur shpëtim në Trojë. Interesante është të përmenden se në Trojë ndodhen 33 vendqëndrime, banorësh dhe ka gjetje, ka copa tullash, ka koçka etj, ka vende ku është ndezur zjarri etj. Mendohet se që kur është bërë masakra e vitit 1466 dhe herë pas here banorët këtu e kanë  patur vend për të shpëtuar nga armiqtë”, thotë historiani.

Krahina e Çidhnës deri më sot është zona më me shumë gjurmë arkeologjike në rajonin e Dibrës që fillojnë nga periudha e bronzit të vonë dhe në vazhdimësi, deri në periudhën osmane. Kjo pasuri arkeologjike ka ardhur deri në ditët tona nga kujdesi që kanë treguar banorët e zonës që e kanë ruajtur dhe treguar atë brez pas brezi. /abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!