Një 28-vjeçar është arrestuar në flagrancë, pasi qarkullonte me armë zjarri në brez. Policia ka sekuestruar armën e zjarrit tip pistoletë dhe municion luftarak.
“Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si edhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas qarkullonte me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, kanë lokalizuar në lagjen nr.17, shtetasin I.Q, 28 vjeç, me automjetin tip “Mercedes Benz”, të cilin e kanë ndaluar për të ushtruar kontroll ndaj tij dhe mjetit që ky shtetas drejtonte. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 28-vjeçarit, policia i gjeti në brez, një armë zjarri pistoletë me fishekë, të cilat i posedonte pa lejen e organeve përkatëse. Shtetasi I.Q, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese e municionit” dhe materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë”, thuhet në njoftim./abcnews.al