Është zhvilluar në një formë të pazakontë protesta për vrasjen e të riut Klodian Rasha në Durrës. Protestuesit me arkivol në krahë marshuan rrugëve të qytetit.
Të rinjtë kanë zgjedhur një mënyre të veçantë për të përcjellë mesazhin “Drejtësi për Klodjanin”. Siç raporton gazetari Leonidha Musaj, të pakët në numër ata u mblodhën fillimisht në sheshin Liria dhe me arkivol ne duar mbi të cilin kishin ngjitur mesazhe“kush është tjetri”, “Shpresa” “Dinjiteti i policisë” u nisën drejt drejtorisë së policisë Durrës aty ku dhe kishin vendosur për ta lënë.
Por, marshimi i tyre u ndërpre në mes nga policia pak metra nga qendra. Efektivët të angazhuar për monitorimin e protestës bënë shoqërimin e pesë personave pjesëmarres, duke ndaluar zhvillimin e mëtejshëm të saj.
Prej ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera në vend kanë shpërthyer protestat për vrasjen e të riut nga një efektiv policie mesnatën e 8 dhjetorit në Tiranë.
Në Tiranë protesta është shoqëruar me përplasje të forta, ndërsa ka pasur edhe arrestime. Sakaq, një natë më parë protesta në kryeqytet ishte e qetë, ndërkohë që policia ka paralajmëruar se nuk do të lejojë grumbullimet të më shumë se 10 personave. g.v/abcews.al