Me 12 emigrantë të paligjshëm në makinë, kapet 33 vjeçari në Lezhë

schedule09:15 - 15 Shtator, 2021

schedule 09:15 - 15 Shtator, 2021

Një 33 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Lezhës pasi akuzohet për dhënie ndihme kundrejt fitimit emigrantëve të paligjshëm.

Policia bën me dije se i arrestuari është shtetasi me iniciale I.N. i cili është kapur në aksin  Milot-Morinë, në Skuraj, Kurbin, duke transportuar me automjetin furgon tip “Benz”, 12 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

“Shërbimet e Njësisë Operacionale të Autostradës Milot-Morinë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Lezhë, në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, pas informacioneve të marra në rrugë policore se me një automjet furgon tip “Benz” po transportoheshin klandestinë drejt Kosovës, organizuan punën për lokalizimin dhe ndalimin e mjetit. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

-I. N., 33 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Shtetasi I. N. është kapur në kushtet e flagrancës, nga shërbimet e Njësisë së Autostradës Milot-Morinë, në Skuraj, Kurbin, duke transportuar me automjetin furgon tip “Benz”, 12 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës”, thuhet në njoftimin e policisë./abcnews.al