“Mes Shqipërisë me BE-në zonjë në Europë apo Shqipërisë me Bufin e Kënetës prapë në gropë… kush zgjedh të parën Shqipërinë, voton 5”, kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar me vajzat dhe gratë në Elbasan.
Kryeministri bëri thirrje që më 11 maj qytetarët të tregohen të kujdesshëm dhe të votojnë për PS për t’i dhënë mundësinë shqiptarëve që të marrin pasaportën europiane të Shqipërisë.
“Në 11 maj do të votojmë për të mbyllur negociatat brenda 2027 dhe për t’i dhënë pasaportën europiane të gjithë fëmijëve të Shqipërisë. Nuk mund t’i bëjmë fëmijëve tanë asnjë nder më të madh, asnjë dhuratë më të çmuar. Nuk mund t’i lëmë asnjë më të shtrenjtë se sa dinjitetin e barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë Europën. Atë që rilindësit e morën dhe e kthyen në amanet të shkruar. Për ne Shqiptarët dielli lind andej nga perëndon. Një popull që doli në rrugë nga dëshira për liri dhe formuloi thirrjen e Duam Shqipërinë si gjithë Europa. Atë sot e kemi ne në dorë , sepse dera është hapur. Por duhet të jemi të vetëdijshëm se ajo derë nuk rri hapur. Dhe më e rëndësishmja është siguria…Të gjitha nënat shqiptare duhet ta kuptojnë se duke e futur Shqipërinë në BE e bëjmë më të sigurt Shqipërinë, i bëjmë më të sigurta familjet tona. Dera është hapur dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë moment. BE është gati për ne, ama duhet të bëjmë negociatat dhe për këtë na duhet fuqia që populli shqiptar duhet të na e japë më 11 maj. Jo 71 mandate se 71 mandate as nuk diskutohet, por na duhet fuqi më e madhe sepse negociatat zhvillohen në Bruksel, vendimet merren në Tiranë. Pa mbetur në dorën e askujt, por duke pasur fuqinë që t’i bëjmë”, tha Rama.
Më tej kryeministri u ndal edhe tek Reforma në Drejtësi, për të cilën tha se drejtësia e re u bë vetëm falë mbështetjes së Partisë Socialiste.
Megjithatë, Rama shtoi se garantët e një drejtësia që do të vazhdojë të bëjnë punën e vet, pavarësisht gabimeve, garant për këtë është PS.
“Por që nesër të mos dalë dikush tjetër që t’i marrë koka erë dhe ta kthejë rrotën e historisë aty ku ishte, duhet të merrni në dorë fatin e drejtësisë. Duke e bërë Shqipërinë anëtare të BE e bëjmë Shqipërinë një zonjë. Dhe nuk ka më forcë të brendshme që prek barazinë para ligjit”, tha ai.
/abcnews.al/