Ditën e nesërme në mëngjes, piloti 32-vjeçar Charalambos Anagnostopulos do të dalë para trupit gjykues. Burime bëjnë me dije për mediat greke se ai do të rrëfejë në lidhje me ngjarjen ku pritet të mbajë të njëjtin qëndrim që ka mbajtur para hetuesve. Ai ka deklaruar se është penduar për vrasjen dhe nuk kishte ndërmend ta vriste Caroline duke theksuar se krimi nuk ishte i paramenduar, por e bëri duke menduar për të bijën.
Çfarë parashikon kodi penal në Greqi
Përmasat e kësaj ngjarje kanë ngjallur një diskutim në lidhje me dënimin që do të vendoset ndaj 32-vjeçarit. Pas përfundimit të gjyqit, trupa do të shpallë vendimin e saj për autorin e vrasjes.
Dënimet specifike sipas kodit penal janë këto:
-Për krimin e vrasjes me dashje të kryer me vetëdije, paragrafi 1 i nenit 299 të Kodit Penal, thotë se “kush vret një tjetër dënohet me burgim të përjetshëm ose me burgim të përkohshëm të paktën dhjetë vjet”. Nëse akti i kryer mbështetet në gjendje të rënduar psikologjike, dënimi mund të shkojë deri në 15 vite.
-Për vrasjen e kafshëve, kodi penal parashikon një dënim deri në 10 vite. Një tjetër nen parashikon një dënim me gjobë.
-Për dëshmi të rreme, neni 230 i Kodit Penal përcakton se “kushdo që akuzon një person tjetër ose pretendon në mënyrë të rreme për një krim të ndodhur, dënohet deri në një vit burg ose me gjobë”.
-Për dëshmitë e njëpasnjëshme paragrafi 1 i nenit 224 të Kodit Penal parashikon sa vijon:
“Kushdo që, ndërsa merret në pyetje si palë ose dëshmitar në një gjykatë ose para një autoriteti kompetent për të kryer një shqyrtim të çështjes në fjalë, me vetëdije paraqet informacion të rremë në lidhje me atë rast ose mohon ose fsheh të vërtetën, do të dënohet me burgim në të paktën tre muaj deri në tre vjet burg, dhe një gjobë “.
Tashmë me qëllim të mbrojtjes së fëmijës, zyra e prokurorisë po studion dosjen e çështjes në mënyrë që të vendosë menjëherë për të. Çdo vendim do të ketë të bëjë me kujdestarinë e përkohshme të të voglës, pasi vendimi përfundimtar duhet të merret nga gjykata brenda 90 ditësh.
Në përputhje me nenin 1532 të Kodit Civil , prokuroria mund të caktojë përkohësisht kujdestarinë ose për të afërmit e Caroline në Alonissos ose për familjen e 32-vjeçarit.
Sipas të njëjtit informacion, një hetim tashmë është duke u zhvilluar në mënyrë që shërbimet sociale kompetente të mund të verifikojnë kushtet e jetesës dhe të dalin me një përfundim të arsyetuar se cili prej dy mjediseve është më i përshtatshëm për një të mitur. m.v/abcnews.al