Mbyllet seanca maratonë për buxhetin, pas 2 ditësh debate të ashpra Kuvendi miraton me 76 vota projektligjin

schedule14:00 - 10 Nëntor, 2022

schedule 14:00 - 10 Nëntor, 2022

Pas 13 orësh diskutime, seanca plenare ku po diskutohet projektbuxheti dhe paketa fiskale 2023 u ndërpre mbrëmjen e djeshme.

Seanca plenare e Kuvendit nisi në orën 10:00 të paradites dhe zgjati deri në orën 23:00, ndërsa do të vijojë sot në ora 9:00.

“Ju njoftojmë se seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë për shqyrtimin e projektligjeve për paketën fiskale dhe buxhetin e shtetit të vitit 2023 do të mbyllet sonte në orën 23:00 dhe do të vijojë nesër, ditën e enjte, datë  10 nëntor, ora  9:00.”

LEXO KËTU GJITHÇKA NGA SEANCA E DJESHME 

Në projektbuxhetin e vitit 2023 të ardhurat parashikohen të arrijnë në 631.7 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet do të jenë 687.2 miliardë lekë. Planifikohet që në vitin 2023 rritja ekonomike të jetë 2.6 %, nga 3.7 % që pritet të jetë në këtë vit.

Seanca e djeshme u shoqërua me debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës, dhe “mollë sherri” ishte Porti i Durrësit.

Nga njëra anë opozita akuzon qeverinë për mos bërje transparence dhe nga ana tjetër mazhoranca e cilëson këtë projekt si një nga investimet më të mëdha që do ta kthejë Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme në Mesdhe.

13:56 – Pas 2 ditësh debate, Kuvendi miraton projektligjin për buxhetin e vitit 2023

Pas një seance maratonë prej 2 ditësh, e cila u shoqërua me debate të ashpra dhe tone të larta mes mazhorancës dhe opozitës është miratuar në parim projektligji për buxhetin e vitit 2023.

Projektligji kaloi me 74 vota pro, 40 kundër dhe asnjë abstenim.

Gjithashtu është miratuar në parim me 76 vota pro ndryshimi në ligjin mbi tatimin mbi vlerën e shtuar.

Seanca e Kuvendit ka nisur ditën e djeshme në orën 10:00 dhe vijoji deri në orën 23:00, për të rinisur sot në orën 09:00, e duke u mbyllur në orën 13:55.

12:40 – Parlamenti arenë fyerjesh, Xhafaj: Retorikë e turpshme, dëmton imazhin e Shqipërisë

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj komentoi nga foltorja e kuvendit sharjet dhe fyerjet që u përdoren dje në Parlament, kryesisht nga kryemininsrtri Edi Rama, i cili sulmoi opozitën me fjalë si “bedel, të pafytyrë, të pa atdhe”, etj.

Xhafaj tha se fryma e debatit normal, dhe etikës politike, tashmë është zëvendësuar nga konflikti i ashpër politik i ndërtuar mbi batutën fyese, shprehjet përçmuese dhe jo rrallë ordinere, retorikën e ashpër, gjuhën e baltës dhe shpifjen.

Gjë që sipas Xhafajt dëmton imazhin e Shqipërisë.

“Fryma e debatit normal, konsensusit politik dhe etikës politike, tashmë është zëvendësuar nga konflikti i ashpër politik i ndërtuar mbi batutën fyese, shprehjet përçmuese dhe jo rrallë ordinere, retorikën e ashpër, gjuhën e baltës dhe shpifjen. Dëshpërimisht kjo lloj qasje e gabuar është shndërruar në normalitet dhe instrument i të ashtuquajturës luftë politike. Kjo sallë dhe çfarë ndodh këtu është arsyeja kryesore përse ka shifra kaq të larta negativiteti në sondazhet e barometrave të ndryshëm që na ndëshkojnë fort. Por edhe pse ka kaq shumë pesimizëm jashtë saj, veçanërisht te të rinjtë që vazhdojnë të largohen nga vendi. Kjo retorikë e turpshme, ca më keq, ka dalë edhe jashtë kësaj salle në gjuhë të huaja, në mediat e botës. Dëm më të madh nuk mund ti bëhet imazhit të vendit”, tha Xhafaj.

11:19 – Kumbaro shpërthen ndaj opozitës: Politikanë që fërkoni barkun, nxirrini fjalë të zeza për turizmin

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ka shpërthyer nga foltorja e parlamentit ndaj opozitës, e cila ka akuzuar qeverinë për keqmenaxhimin e turizmit.

Kumbaro u tha deputetëve të opozitës se kanë një dëshirë perverse për të nxjerrë keq Shqipërinë e për të folur fjalë negative për turizmin në vend.

“Si mund të kemi politikane që fërkojnë barkun duke folur me fjalë të zeza për Shqipërisë. Si ka mundësi që të keni një dëshirë perverse për të nxirë turizmin. Shqiptarët ju kanë ndëshkuar me 3 mandate në opozitë”, u shpreh Kumbaro

11:07 – “Tenderat sekretë” ndezin Kuvendin, Manastirliu-Vokshit: Buxheti i shëndetësisë më i larti në histori

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu i është kundërpërgjigjur akuzave që Albana Vokshi bëri ndaj qeverisë për “tendera sekretë në shëndetësi”.

Manastirliu tha se buxheti i shëndetësisë për 2023-in është rritur dhe është më i larti në histori që prej viti 2013.

Ndërsa cilësoi opozitën “aleancë të rublave” që duan të hedhin qeverinë me dhunë.

“Aleanca e rublave bëjnë thirrje për të hedhur qeverinë me dhunë. Kjo është fatkeqësia juaj, s’keni ca të thoni për shëndetësinë. Është fatkeqësi, përdorini foltoren në interesat tuaja personale. Fatkeqësia për të gjithë ata që deri dje ju kanë besuar. Qeveria juaj e dështuar rrënoi shëndetësinë. Buxheti 2023 i shëndetësisë është rritur dhe është më i lartë në historinë krahasur nga 2013 dhe 2022. Sa për tenderat sekret shko pyet te organet kompetente, janë denoncime të turpshme”, tha Manstirliu.

10:38 – Çuçi: Kriza do të jetë një mundësi më e mirë për shqiptarët, buxheti realist për t’iu përgjigjur sfidave

Pas 13 orësh diskutime ditën e djeshme, Kuvendi i rimblodh sërish ditën e sotme për të diskutuar paketën fiskale dhe projekt buxhetin për vitin 2023.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi bëri me dije se treguesit makroekonomikë për Shqipërinë janë më të mirët në rajon. Sipas tij, buxheti i 2023 është një mundësi shumë e mirë për të rritur mirëqenien dhe realist për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave që ka Shqipëria sot, sidomos ato që lidhen me luftën moderne (sulmet kibernetike).

Çuçi: U kërcënuam nga një tërmet në 2019 me pasoja shumë të mëdha. Pa kaluar akoma dhimbjen e tërmetit u kërcënuam nga pandemia dhe vijmë sot në këtë vigjilje të miratimit të një buxheti nga një kërcënim tjetër i madh siç është lufta në Ukrainë. Lufta ka nxitur një inflacion të shfrenuar në gjithë Evropën, por jo vetëm dhe po krijoj probleme jo të vogla në gjithë botën. Krizën e tërmetit dhe pandemisë e kthyem në një mundësi dhe kjo falë largpamësisë dhe qeverisjes tonë, ne vijmë sot me këtë projekt para shqiptarëve për t’i garantuar që edhe kjo krizë do të jetë një mundësi më e mirë për ta.

Ministri tha se treguesit makroekonomikë për Shqipërinë janë më të mirët në rajon. Buxheti, si përgjigje e drejtpërdrejtë e inflacionit që vjen nga kriza, është rritja e pagave për gjithë sistemin e sigurisë.

Çuçi: Bëmë të mundur të rrisim pagat për mbi 7 mijë punonjës të policisë së shtetit në masën mbi 15%. Kjo është një rritje, më e madhja e bërë në një moment të caktuar. Këtë rritje do ta garantojmë në mënyrë të qëndrueshme me buxhetin e 2033 dhe më tej.

Buxheti është realist edhe ndaj kërcënimeve të tjera që i vijnë Shqipërisë. Një nga këto janë sulmet kibernetike të ardhura nga Irani.

10:24 – “Shtrëngo rripin Thanas”, Noka: Ky është buxheti i gomoneve dhe i shpopullimit të Shqipërisë

Deputeti demokrat Flamur Noka, nga Foltorja e Kuvendit ku po diskutohet prej dy ditësh projekt buxheti i vitit 2023, pati kritika për miratimin e procedurës së përshpejtuar për Portin e Durrësit.

Noka: Ka një gjë që i dogji më shumë shqiptarëve. Urgjenca me të cilën sulltani i Surrelit i imponoi futjen e projektit të Portit të Durrësit Kuvendit. Çfarë urgjencë kishte ky projekt që të futej ditën e buxhetit? Sepse vëmendja do fokusohej te buxheti. Pas kësaj afere fshihet kryeministri dhe banda e tij se nuk shpjegohet ndryshe. Pse duhet të ketë përjashtim nga taksat? Askush nuk tha asnjë fjalë. pse nuk u bë me garë të hapur? Do t’i ngelet turp dhe njollë në histori këtij Kuvendi  që e fut dhe e voton vjedhjen e një prej pronave më të mira të këtij vendi.

Duke u ndalur të buxheti, Noka tha se pas termit dyfishim buxheti duhet të vijë termi tjetër; dyfishim rrogash, pensionesh dhe shërbimesh për të përmirësuar cilësinë e jetës së shqiptarëve.

Noka: Por jo, ka vetëm një gjë që dyfishohet, tenderat dhe konçensionet sepse qeveria ka vendosur të dyfishojë vjedhjen. “Shtrëngo rripin Thanas” i thotë qytetarëve Edi Rama. asnjë masë në këtë buxhet për të lehtësuar rritjen e çmimeve. Kjo qeveri tregoi edhe një herë që ka një cilësi; pangopësi.

Sipas deputetit buxheti është i keq për shqiptarët sepse vetëm rrit shpenzimet dhe nuk hap vende pune. Buxheti, sipas tij, jep më pak para në xhepat e shqiptarëve dhe e varfëron popullin e gomoneve.

Noka: Ky është buxheti i gomoneve, i shpopullimit të Shqipërisë. Edi Rama nuk e do këtë vend ndaj harton një buxhet të tillë. Ky është buxheti i gomoneve për ta shpopulluar Shqipërinë.

09:37 – “Nuk është buxhet i zakonshëm”, Peleshi: Shqipëria e vogël ka menaxhuar tronditjen e ekonomisë nga lufta

Teksa në Kuvend po diskutohet paketa fiskale dhe buxheti i vitit 2023, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se ky nuk është një buxhet i zakonshëm, por një buxhet i rezistencës së një krize të shkaktuar nga një luftë.

Peleshi: Ajo nuk është thjesht një luftë ushtarake mes dy vendeve. Të gjithë e dimë që ky është shkaku i inflacionit. Si do dukej ky buxhet nëse do ishit ju në pushtet? Çdo shtet sot ka sfidën si të menaxhojë inflacionin, çfarë masa të marrë. Debatet dhe kritikat janë se si menaxhohet inflacioni. Në vendet baltike inflacioni është mbi 20%. Ndërsa ne kemi një shifër 6.4%. në të gjithë Evropën inflacioni është më 2 shifra, ndërsa ne jemi në 6.4%.

Peleshi tha se ka disa arsye që qeveria ka arritur të menaxhoj inflacionin dhe arsyeja kryesore është mburoja e çmimit të energjisë. Sipas tij është energjia ajo që po trondit tregjet, por nga konsumatorët shqiptarë nuk ndjehet pasi qeveria po mbulon 80% të faturës së tyre.

Peleshi: Shqipëria e vogël e ka bërë këtë dhe për të arritur në këtë ditë ka rritur të ardhurat dhe ka dyfishuar buxhetin, ka shtuar 3 miliard dollarë në buxhet. Po të mos ishin ato 3 miliard ne nuk do përballonim dot krizën e luftës.

Ministri deklaroi se do të ketë një rritje të re për ushtarakët. Pagat e tyre u rritën me 40% në korrik 2022 , por nga janari 2023 do të ketë një rritje tjetër me 7%.

Peleshi: Rreth 7 mijë ushtarakë do të përfitojnë një rritje të re me këtë buxhet. Në janar, ky buxhet mbi 30% e korrikut, do të shtojë edhe 7%. Ky është një vizion i qeverisë dhe një premtim i kryeministrit i cili ka thënë se pagat e ushtarakëve do të rriten çdo vit derisa të kalojmë vendet e Ballkanit Perëndimor. Putini është arsyeja e tronditjes së ekonomive botërore dhe Shqipëria e ka menaxhuar më së miri.

09:26 – Paketa fiskale dhe buxheti 2023, Këlliçi: Rëndon në kurriz të qytetarit

Deputeti i Partisë Demokratike, njëherësh kandidat në primaret e PD-së, Belind Këlliçi, nga Foltorja e Kuvendit iu drejtuar deputetëve të mazhoracnës “të cilët shqetësohen nga fjala e opozitës.”

Këlliçi: Pse anashkalohen propozimet e grupeve të interesit? Pse nuk dëgjohen ekspertët kur thonë që paketa fiskale e propozuar është jofunksionale. Ju i keni gati kartonët, nuk iu interesojnë diskutimet. Kryeministri ditën e djeshme iu drejtua opozitës me banalitet. Kjo shfaqje e djeshme ka një qëllim, transferimin e vëmendjes.

Prej vitit 2013 ju e rrëzuat parlamentarizmin shqiptar. kemi sot një kryeministër që është kampioni i banalitetit të vendit. Flet për dyfishim të buxhetit sepse janë dyfishuar çmimet. Pse nuk dyfishohen pagat dhe pensionet. Çmimet do të vazhdojnë të rriten, 3.2% më shumë kurse pensioni juaj qameti do të rritet me 1%. Nuk ndodh në asnjë vend të Ballkanit që të krijohet një paketë e tillë penalitetesh që rëndon në kurriz të qytetarit.

/Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!