20:02 – Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD del në konferencë për mediat: “Kërcënimet e zyrtarëve dhe grupeve kriminale të grupet e votuesve e deri tek mbushja fiktive e listat të votuesve me emrat e emigrantëve edhe pse në këtë farsë ai vetë kandidon, ai vetë, voton, vetë numëron, paniku Edi Ramës nga braktisja dhe refuzimi popullor e ka shtyrë drejt manipulimit flagrant të numrit të pjesëmarrësve në këtë farsë. As mbushja e kutive që po ndodh në këto momente dhe as manipuli i numrit të votuesve nuk e shpëton nga ajo që e dinë të gjithë tashmë, shqiptarët e kanë refuzuar”.
19:07 – Në një dalje për mediat, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, tha se nuk ka patur asnjë kërkesë për shtyrjen e orarit të votimeve. “Orari fillon në 07:00 dhe mbaron në 19:00, e vetmja mundësi është nëse ka radhë, komisioni duhet të marrë dokumentet e identifikimit dhe kjo është vetmja mundësi që këta persona të votojnë. Përtej kësaj votimet janë të mbyllur dhe askush nuk ka të drejtë të tejkalojë normat dhe ligjet”, tha Zguri.
Kukës – Në orën 19 është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit në qarkun e Kukësit. Në të gjithë territorin nuk ka patur probleme dhe nuk janë shënuar incidente.
Lezhë – Edhe në Lezhë, Mirditë dhe Kurbin u mbyll votimi në orarin zyrtar. Kutitë e votimit kanë mbërritur në KZAZ-të përkatëse në pritje të procesit të numërimit.
Shkodër – Një proces normal dhe i qetë ka qenë edhe në qarkun e Shkodrës.
Vlorë – Edhe në Vlorë procesi i votimit përfundoi brenda orarit zyrtar, ndërsa menjëherë nisi dorëzimi i kutive nëpër KZAZ. Nuk ka pasur probleme të regjistruara gjatë ditës.
19:00 – Ora 19:00 ka shënuar orën zyrtare të përfundimit të votimit në Shqipëri. KQZ para mbarimit të orarit zyrtar nuk mori asnjë vendim për shtyrjen e saj.
Në këtë mënyrë, siç raportoi gazetarja Esiona Konomi e vendosur që prej mëngjesit në KQZ të drejtë vote në këto momente kanë vetëm personat që ndodhen në radhë në qendrën e votimit.
“Kjo kambanë shënon orën 19:00 që është dhe ora zyrtare e mbylljes së votimit në të gjithë vendin, në 90 KZAZ dhe 5410 qendra votimi që u hapën këtë mëngjes. Nuk pati asnjë vendimmarrje e anëtarëve të KQZ për të shtyrë votimin pasi një kërkesë e tillë nuk u parashtrua nga asnjë subjekt, prandaj nga ky moment të vetmit që mund të votojnë janë ata qytetarë që aktualisht ndodhen në radhë në qendrat e votimit.
Nga të dhëna jozyrtare, por të marra nga administrata e KQZ të rifreskuara në orën 18:00, pjesëmarrja ka qenë 19% e llogaritur në rreth 670 mijë zgjedhës. Ka kaluar dhe një orë e fundit dhe në përfundim të këtij procesi do të ketë një tjetër rifreskim të të dhënave dhe një komunikim për shtyp për këtë çështje”, tha gazetarja.
Qendrat e votimit për zgjedhjet lokale u hapën në orën 7:00 të mëngjesit në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, të drejtë vote kanë 3.536.015 qytetarë.
Për herë të parë pas vitit 1990, Partia Demokratike nuk merr pjesë në këto zgjedhje lokale, së bashku me partitë e saj aleate, pasi i kanë bojkotuar. Nga 61 bashki, në 35 nuk ka garë pasi janë regjistruar vetëm nga një kandidat dhe ky i Partisë Socialiste. Në 25 të tjera socialistët kanë përballë kandidatët e Bindjes Demokratike. /abcnews.al